Opinion nga Senad NIKSHIQI
“Linja në Shkodër”. Kaq ka mjaftuar që sytë e mi të mbushen me lot. E besoj kështu mund të ketë ndodhur me të gjithë ata që janë larg Shkodrës por që e kanë ndjekur me endje përmes ekranit Vllazninë e tyre të zemrës.

Një atmosferë e gëzueshmë në lojën e parë për të 74-in vit radhazi ku Shqipëria luan garën e bukur të futbollit. E më shumë se “Loro Boriçi” asnjë stadium tjetër nuk do të kishte dhuruar ato ndjesi aq pozitive. Fati kishte bërë më të mirën teksa përballë djepit të futbollit shqiptar përcaktoi Kampionët në fuqi, korçarët e Skënderbeut. Mister “200 golëshi” na entuziazmon më tepër e na dha një emocion të veçantë. Në ato pak minuta të lamtumirës të madhe të Vioresin Sinanit vijnë furishëm në mendje çastet e bukura nga ana e tij që për vite e vite na kanë dhuruar emocione të panumërta kudo nepër stadiume. “Ujku” shkelmon për të fundit herë topin në shtëpinë e tij e përshëndetet ngrohtësisht me tifozët duke shkruar kështu emrin si një nga emblemat e Vllaznisë. Minuta që shoqërohen me një qëndrim në këmbë të të gjithëve e me duartrokitje e brohoritje të zjarrta sepse Viori nuk do jetë më aty, për të shënuar gola. E gjitha kjo festë e hare për pak sa nuk na rrëmbeu tërësisht për të na u dukur si një ëndërr e bukur. Pa kujtuar, nis loja. Nis Vllaznia e këtij sezoni. Një skuadër tërësisht e rinovuar përjashto 3-shen Vujadinoviq, Smajli, Hajdari. Disa herë kam tentuar të shkruaj për moshën e madhe të Beqirit, për rënien sportive te Osmanit, mosnjohjen totale te Deliç e Rexhës, normalitetin e Begaj si një futbollist që edhe në Vlorë nuk ishte nga ata që mbante peshën e skuadrës, mos përshtatjen e Hysës si te Tirana e me radhë tek Laçi e Flamurtari, të qënit e Shtupinës jo si ai djali fluturues i pak sezoneve më parë, të një Nallbani që duket se i ka mbetur veç zemra apo i një Semine e Tafili të cilët janë provuar edhe më parë dhe dihet forca e tyre. Po të shtoja këtu edhe largime si Hasani, Gocaj, Bardulla apo Djepaxhia atëherë për ata që janë me këmbë në tokë do ekzistonte një lloj ngërçi. Nuk mund të largohet kaq kollaj një vizionarë si Hasani, nuk mund të largohet një punëtor i pafjalë si Gocaj, një i shpejtë si Djepaxhia apo një teknik i mesfushës si Bardulla. Tre prej tyre gjithë sezonin thuajse e kaluan të dëmtuar por kjo s’do të thotë se kush dëmtohet duhet të dëbohet. Politikë e gabuar që do ndjehet gjatë sezonit. Ndonëse jo publikisht, këto i kam shprehur me miqtë e mi të cilët besoj i kam dëshmitarë. Nuk i kam thënë më përpara qoftë për të mos prishur atmosferën në prag të përballjes me korçarët po ashtu për të mos krjiuar sado pak presion për këta futbollistë apo për tu mos etiketuar si një person “anti-Vllazni”, gjë të cilën kanë tentuar ta bëjnë shpesh ata që nuk e di nëse e kanë mbushur vitin duke ndjekur kuqeblutë. E gjithë ajo festë e madhe na u shemb me atë fitore të turpshme që kurrsesi nuk duhej të ishte e tillë. Qoftë për mijëra tifozët e ndoshta pak më shumë qoftë për legjendën Sinani të cilit i bënë dhuratën më të keqe në këtë ditë të shënuar të tij. Ndoshta është ende herët e duhet të pres. Edhe ju bashkë me mua, por nuk mund ta bëj sepse e ndjej që edhe Vllaznia e këtij viti e ka thuajse të pamundur të na sjellë atë trofe që aq shumë e presim. Ashtu si për të tjerë para tij edhe për Duron është një mision tejet i vështirë edhe pse vitet e fundit na është shfaqur si një trajner fitues. Futbolli nuk do emra por futbollistë që bëjnë punën e tyre e justifikojnë besimin e madh. Ironia e fatit nganjëherë është vendimtare. Ndoshta sot nuk na mundi Skënderbeu, por një tjetër. Mirel Josa. Ai që këto zotërinjtë e sotëm të Vllaznisë e larguan dhe ndonjë edhe e tradhëtoi, historira për të cilat tekniku tiranas nuk foli kurrë edhe pse premtoi që një ditë do fliste. E ndoshta kjo bëri që edhe sot emri i tij të brohoritej nga tifozët e shumtë kuqeblu. Madje nuk e quajti as hakmarrje fitoren e tij, por një përballje të zakonshme ku trajnerët atë punë kanë, të lëvizin sa andej këndej. Sot Vllaznia u gjunjëzua. Një 3 pikësh i humbur përballë pretendentëve kryesorë. Nuk e di si do ta zgjidhë Duro këtë punë por duhet ta dijë që është disa stacione larg Skënderbeut, Tiranës, Flamurtarit e ndoshta edhe Teutës. Si ai, si drejtuesit apo edhe futbollistët duhet ti lënë deklaratat e forta por të përgatiten aq shumë sa për mos ta dështuar edhe këtë sezon. Më shumë le të flasin në fushën e lojës. Do ishte më mirë! Suksese Vllazni por kujdes ! Na bërë të lotojmë por edhe na zhgënjeve! Totalisht madje!