Lionel Mesi tregon emocionet e fitores së çmimit si lojtari më i mirë i vitit dhe zbulon faktin se si ka lindur rivaliteti i tij me Kristiano Ronaldon.

Në një intervistë për “FIFA”- n, kapiteni i Barcelonës tregon objektivin për të fituar Champions-in dhe pranon se ndeshja me Liverpulin shkatërroi sezonin e Barcelonës.

FITORJA – “Jam shumë i lumtur që e mora këtë çmim. E kam thënë gjithmonë se trofetë individualë vijnë të dytët dhe se është skuadra ajo që vlen më shumë, por ishte një mbrëmje speciale dhe kisha fatin të isha aty me bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Është moment unik”.

SEZONI – “Ishte një sezon i çuditshëm. Bëmë një ecuri fantastike si skuadër, pastaj në ndeshjen kundër Liverpulit ndryshoi gjithçka. Ishte një goditje e madhe për ne, pavarësisht se fituam La Ligën. Humbëm edhe finalen e Kupës së Mbretit dhe u zhgënjyem sërish. Ajo ndeshje ishte fatale për sezonin tonë, e cila deri atëherë ishte e shkëlqyer”.

RONALDO – “Rivaliteti sportiv mes nesh ka qenë i madh. Unë luaja te Barcelona dhe ai te Reali i Madridit. Të dy bashkë fitonim trofe individualë. Njerëzit mendojnë se ne e kemi këtë rivalitet edhe personal, por në fakt nuk është kështu. Duam thjesht më të mirën për skuadrat ku luajmë dhe nuk na pëlqen të humbasim. Kjo është e gjitha”.

ANSU FATI – “Më pëlqen shumë dhe përpiqem që ta ndihmoj dhe ta mbështes. Është një lojtar fantastik dhe ka gjithçka për të triumfuar. Do të më pëlqente që të aktivizohet gradualisht, ashtu siç u veprua me mua. Duhet ta shpalosë talentin e tij pak nga pak dhe pa presion. Nuk duhet të harrojmë që është 16 vjeç. E ka kualitetin për të qenë një nga më të mirët”.

RONALDINJO – “Ronaldinjo dhe Rajkard u sollën shumë mirë me mua, në fakt e bëri e gjithë skuadra. Më ndihmuan shumë, sidomos trajneri. Ai më tha që të mos merresha aspak me ato që ndodhnin jashtë fushës së lojës. Unë tani jam i rritur dhe e kam kuptuar pse”.

E ARDHMJA – “Kam thënë se nuk më pëlqen të bëhem trajner, por nuk i dihet kurrë. Më pëlqen të punoj me të rinjtë, t’i mbështes dhe t’i ndihmoj. Të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.

KARRIERA – “Do të më pëlqente të luaja në Argjentinë për skuadrën time të fëmijërisë, Njuells. Nuk e di nëse do të ndodhë, sepse nuk varet nga unë. Kam tre fëmijë dhe jam rehatuar këtu”.

OBJEKTIVI – “Objektivi im është të fitoj të gjithë trofetë e mundshëm. Kemi 4 vite pa fituar Ligën e Kampioneve dhe duam që ta fitojmë sërish. Për ta bërë këtë, duhet të punojmë përditë. Sigurisht që do të më pëlqente të fitoja edhe Kupën e Amerikës”.

ARGJENTINA – “Nuk më surprizojnë aspak ndryshimet tek Argjentina. I kam parë lojtarët të luajnë me klubet e tyre dhe çfarë janë të aftë të bëjnë. Më kanë befasuar si persona. Ishte bukur të ndaja eksperiencën e Kupës së Amerikës me këta futbollistë. Skaloni është një trajner me ide të qarta”.

MARADONA – “Kam parë që u rikthye në futbollin argjentinas. Kur ishte me ne në kombëtaren e Argjentinës, ishte mirë. E ndien shumë futbollin. Do të bëjë të njëjtën gjë edhe me Gimnasian. Jam i lumtur që u rikthye”.