Leo Messi e nisi sezonin me një gol spektakolar në fitoren 2-1 të Inter Miami ndaj Atlanta United, ekipit që i kishte shkaktuar eliminimin sezonin e kaluar në MLS.
Goli i jashtëzakonshëm i Messit erdhi pasi ai “vodhi” topin nga Bartosz Slisz, dribloi Derrick Williams dhe më pas e kaloi topin me një parabolë mbi portierin Brad Guzan. Me këtë gol, ylli argjentinas ka shënuar në 22 sezone si futbollist profesionist.
Javier Mascherano, trajneri i Inter Miami, nuk i kurseu lëvdatat për ish-bashkëlojtarin e tij tek Argjentina dhe Barcelona: “Goli i Leo Messit është një gol që vetëm lojtari më i madh në historinë e këtij sporti mund ta shënojë. Nuk ka më çfarë të thuhet. Ai ka aftësinë të realizojë golat më të bukur që mund të shohësh”.
Fitorja në “Mercedes-Benz Stadium” erdhi pas një goli në minutën e 89-të nga Fafà Picaul, duke i dhënë mundësinë ekipit të Mascherano të marrë hak ndaj Atlanta United, që sezonin e kaluar i kishte eliminuar në “play off”.
Pas kësaj fitoreje, Inter Miami, me Messin, Luis Suárez, Sergio Busquets dhe Jordi Alba, kryeson Konferencën e Lindjes në MLS me 10 pikë.
Megjithatë, Mascherano ruan qetësinë dhe kërkon që ekipi të mos e humbasë përqendrimin: “Duhet të kuptojmë që ky është vetëm fillimi. Sezoni është shumë i gjatë. Gjithmonë them të njëjtën gjë: nuk ka rëndësi si e fillon, por si e përfundon.
Nuk jam nga ata që mendojnë se gjithçka është arritur vetëm sepse e kemi nisur mirë. Kjo është diçka që duhet kultivuar çdo ditë… Më pëlqen të jem gjithmonë në gatishmëri dhe të mos relaksohem. Duhet të shijojmë momentin, por është vetëm një moment, asgjë më shumë”.