Liridon Latifi është një nga futbollistët më të spikatur në Kategorinë Superiore, pasi ka shkëlqyer dikur me fanellën e Skënderbeut, ndërsa tani po bën mjaft mirë edhe me fanellën e Vllaznisë së Shkodrës.

Në një intervistë për CNA, kosovari rrëfen vështirësitë që ka kaluar në fillimin e këtij sezoni, marrëdhënien e krisur me Mirel Josën, por flet gjithashtu edhe për një rikthim të mundshëm te Skënderbeu.


Prej dy sezonesh pjesë e Vllaznisë, si po shkon aventura e Liridon Latifit në Shkodër?

Sezoni i parë në Shkodër mendoj që ishte i suksesshëm, por jo edhe i dyti, pasi që në fillim të këtij sezoni pësova një dëmtim të rëndë ku mbeta jashtë fushave për afro 4 muaj, pasi theva fibulën e këmbës së djathtë. Gjithsesi, e keqja ka kaluar dhe tani po kap gradualisht formën optimale.


Çfarë ka ndryshuar ardhja e trajnerit të ri, Sedloski?

Ardhja e trajnerit të ri na ka bërë mirë të gjithëve. Mendoj që kemi ndryshuar mentalitet tashmë, pasi Sedloski kërkon që të jemi shumë agresivë dhe ne po ndjekim udhëzimet e tij.

Mirel Josën e keni takuar në Korçë dhe Shkodër, ka qenë i njëjti me sjelljen e tij karshi jush?

Josa në fillim kur u takuam te Vllaznia më dha respektin që unë e prisja prej tij, gjithashtu edhe ai mori të njëjtin respekt nga ana ime, por pas dëmtimit, ndryshuan disi situatat dhe kjo gjë nuk më pëlqeu. Më pas erdhi dhe krisja jonë dhe gjërat nuk ishin më si përpara.


E ndieni mungesën e një skuadre si Skënderbeu në Superiore?

Normalisht që mungesa e Skënderbeut ndihet në kampionat, por besoj që vitin tjetër do të jenë në Superiore. Aty ku u takon.


Do të riktheheshit një ditë në Korçë?

Mmm… (Mendohet). Kurrë mos thuaj kurrë! Nëse Ardjan Takaj do të ndërtonte përsëri një skuadër ashtu siç di ai, pse jo…


Objektivi juaj për të ardhmen?

Objektivi im është që ta mbyllim këtë sezon sa më mirë me Vllazninë, sepse ky qytet meriton që së paku Vllaznia të jetë në Europë.