Vera vjen shpejt dhe të gjithë tifozët e futbollit kanë nisur llogaritë për merkaton e verës. “Goal.com” ka bërë një renditje me lojtarët më të kërkuar të momentit dhe Telesport po rendit vetëm 3 prej tyre, të cilët janë sulmues dhe është e sigurt se do të shiten në verë.

Nkunku – “Goal.com” shkruan se është fakt surprizues që Christopher Nkunku vazhdon të luajë te Chelsea. Sulmuesi francez është një nga lojtarët më të talentuar në Europë, por nuk luan në Londër.

Bayern pati shansin ta transferonte në janar, por zgjodhi të mos nxitohej duke e shkëmbyer me talentin Mathys Tel. Nkunku u ble për 52 milionë paundë në vitin 2023 dhe ende renditet si një emër big në tregun e merkatos.

Në merkaton e janarit, francezi pati shansin të huazohej te Manchester United, por refuzoi. Ai po pret një transferim përfundimtar në merkaton e verës. Rëndësi ka të mos dëmtohet shpesh.

Sesko – Sulmuesi i Leipzig i ka të gjitha. Ai është lojtar i gjatë, luan si pykë i pastër dhe di të shënojë me të dyja këmbët. Deri tani e kanë kërkuar Arsenal, Chelsea, Manchester United dhe Milan. Slloveni ka edhe 4 vite kontratë në Gjermani, por pritet të shitet në verë.

Edhe pse në Kampionatin Europian nuk la mbresa, ai konsiderohet një nga 5 sulmuesit më të mirë në Europë. Bayern duket klubi më i favorizuar për blerjen e tij. Më pas është Arsenal.

Gyokeres – Quhet Victor dhe duket vërtet i tmerrshëm në majë të sulmit. Luan te Sportingu, por pritet që verën e ardhshme të bëhet pjesë e një klubi të madh europian. Vlera e tij aktuale në treg llogaritet rreth 75 mln euro.

Paris Saint-Germain ka dy vite që e kërkon, por më pranë tij duket Manchester United, aty ku drejton ish-trajneri i sulmuesit të talentuar, Ruben Amorim. Tentativat e këtij të fundit për të provuar Kobbie Mainoo si 9-sh fals kundër Crystal Palace janë thjesht një metodikë e përkohshme.

“Djajtë e kuq” kanë nevojë për një qendërsulmues pykë dhe Gyokeres mbase sot për sot është numri 1 në këtë rol. Në vitin 2023, ai u ble për 20 mln euro nga Coventry City dhe sot po shkëlqen në Portugali, ashtu si edhe në Europë.