Lista e Shqipërisë do të publikohet brenda pak ditësh, sa i përket dy ndeshjeve në muajin nëntor për kualifikueset e Europianit, konkretisht ndaj Andorrës dhe Francës. Ka ende disa dilema të fundit, por pak e nga pak po zbulohen edhe të besuarit e Rejës.

“Sport Ekspres” ka publikuar më parë se Myrto Uzuni nuk do të jetë pjesë e listës së parë, ndërsa pritet ende të shihet nëse do të jetë në listën e pritjes. Gjithashtu pak dilema mbeten mbi debutimin e ri, Florian Kamberin, nëse dokumentacionet do të mbyllen brenda kohës.

Për të vazhduar më tej, Lindon Selahi e ka konfirmuar për vetë faqen zyrtare të klubit se do të jetë pjesë e Shqipërisë në këto dy takime. “Sport Ekspres” ka zbuluar edhe dy detaje të reja me burimet tona pranë lojtarëve, atje ku Taulant Xhaka dhe Taulant Seferi kanë ndërruar vendet në një farë mënyre, nisur nga lista e fundit, pavarësisht se me rolet e tyre janë të ndryshme.

Xhaka ishte në listën e pritjes dhe Seferi ishte në listën e parë. Këtë herë do të jetë e kundërta, teksa mesfushori i Bazelit e ka marrë ftesën për listën e parë, ndërsa talenti Seferi do të jetë në listën e pritjes. /Sport Ekspres/