Pasditen e sotme, skuadra bullgare Liteks Lovech ku luan futbollisti shkodran Armando Vajushi ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj rumunëve të Clujit. Edhe kjo skuadër si Liteksi, është duke zhvilluar fazën përgatitore në Antalia të Turqisë dhe ndeshja është zhvilluar në një nga fushat e kompleksit ku janë sistemuar këto ekipe. Nga sa bëhet e ditur, rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 1-0 për Cluj. Vajushi ka luajtur 45 minutat e parë bashkë me titullarët e tjerë ndërsa në të dytën trajneri Stoiçkov i ka zëvendësuar të gjithë. “Ka qenë një ndeshje e mirë për ne pavarësisht se humbëm.
Rumunët një herë erdhën në portën tonë dhe shënuan ndërsa ne kemi humbur 3-4 raste të pastra”- ka thënë ekskluzivisht nga Turqia për gazetën online shkodrasport.com, Vajushi. Sipas tij, pas tre ditësh, Liteks do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj një kundërshtari tjetër, në kuadrin e përgatitjeve për rifillimin e kampionatit bullgar të futbollit.Interesant është fakti se në ndeshjen e sotme, shkodrani është aktivizuar në rolin e mesfushorit të majtë nga ana e trajnerit Stoiçkov.
www.shkodrasport.com