Liverpool ka mposhtur Swansean me rezultatin 5-0, në takimin e fundit për javën e 20, të luajtur në ‘Anfield Road’. “The Reds” e nisën vrullshëm takimin dhe gjetën avantazhin që në minutën e 6’, pas një supergoli të shënuar nga braziliani Coutinho, për të cilin flitet se po kalon ditët e fundit në Angli. Coutinho mori një pasim nga Salah dhe pasi u fut drejt qendrës, goditi nga distance duke gjetur trekëndëshin e portës dhe lënë të shtangur portierin kundërshtar.

Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 1-0, pavarësisht rasteve të shumta të skuadrës së Klopp, ndërsa në të dytën, ‘The reds’ shënuan edhe 4 herë të tjera. Fillimisht ishte Firminho që shënoi golin e dytë, pas një pasimi të bukur të marrë nga Coutinho, ndërsa Alexander-Arnold shënoi golin e 3-të për vendasit, pas një largimi të dobët të topit nga mbrojtja vendase.

Goli i 4-t mban sërish firmën e Firminhos, ndërsa Oxlade Chamberlain vulosi rezultatin 5-0. Me këtë fitore, Liverpool vijon të mbrojë vendin e 4-t të renditjes, me 38 pikë.