As në ëndrrat më të bukura Liverpool nuk e kishte parashikuar një start të tillë të sezonit, duke u shkëputur 9 pikë nga ndjekësit në Premier League pa ardhur Krishtlindjet. Fitorja 2-0 ndaj Manchester City konfirmoi domiminin e “reds”, duke mundur një rival të drejtpërdrejtë.

Arne Slot, trajneri i drejtuesve të Premier League, u shpreh: “Një ndeshje pothuajse perfekte nga ana jonë. E pritshme nëse shikoni ritmin e punës, ndaj mendoj se ishte një lojë e mirë. Sasia e rasteve që humbëm e bëri lojën shumë afër, por ndoshta ky është një aspekt pozitiv për ndeshje të tilla”.

“Do të ishte më mirë të shënonim golin e dytë më herët. Ne gjithmonë bëjmë presing lart, por te City janë shumë të mirë në organizim. Lojtarët tanë kishin energji, por përveç lojtarëve edhe publiku ishte fantastik. Ata të vënë gjithmonë në vështirësi me mënyrën se si e pozicionojnë veten”, tha Slot.

“Ne kemi lojtarë cilësorë, jemi një ekip i vështirë për t’u mposhtur por duhet të punojmë shumë. Kemi lëndime, na është dashur të heqim Trent, do të kishte qenë një rrezik pot ë vazhdonte. Këto janë sfidat me të cilat përballemi për momentin, por çdo ekip duhet të përballet me këto sfida gjatë sezonit”, shtoi trajneri holandez.

Për fillimin e pabesueshëm të sezonit, Slot tha: “Askush, përfshirë edhe veten time, nuk e kishte parashikuar këtë. E dija që Klopp e kishte lënë ekipin në një vend të mrekullueshëm. Megjithatë, të fitosh kaq shumë me të gjitha skuadrat e vështira me të cilat jemi përballur nuk është diçka që mund ta parashikosh në fillim të sezonit”./telesport/