Liverpooli ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 në udhëtim ndaj Leicester Cityt në kuadër të javës së 33-të në elitën e futbollit anglez. Në minutën e tretë Mohamed Salah shpërdoroi një mundësi të artë shënimi për të kaluar ekipin e tij në epërsi.

Vendasit reaguan në minutën e dhjetë duke rrezikuar seriozisht portën e Liverpoolit, pasi e goditën shtyllën përmes Wilfried Ndidit. Po luhej minuta e 11-të kur Salah doli sërish në skenë me një tjetër rast, por portieri vendas bëri një super pritje për t’ia mohuar golin egjiptianit.

Një tjetër rast ideal për gol e humbi edhe Kostas Tsimikas në minutën e 57-të ku sërish hero për Leicesterin ishte portieri i tyre që shpëtoi një gol të sigurt.

Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme, Liverpooli më në fund e gjeti golin në minutën e 77-të përmes Alexander Arnold i cili realizoi për 1-0 pas një tollovie brenda zonës.

Deri në fund të ndeshjes vendasit patën edhe një tjetër mundësi me Stephy Mavdidin në minuën e 83-të, por nuk ia dolën të shënojnë. Pas kësaj fitore Liverpooli afrohet edhe një hap drejt titullit duke shkuar në kuotën e 79 pikëve, 13 më shumë se ndjeskësi i tyre Arsenali që ka 66 sosh./Telegrafi/