Lajmi që klubi saudit, Al Ittihad, po e kërkon sulmuesin e Liverpoolit, Mohamed Salah, ishte ndër më të komentuarit e ditës.
Por duket të jetë e vështirë që një marrëveshje për Salah të realizohet, pasi Liverpooli e konsideron 31-vjeçari të pashitshëm.
Agjenti i Salah ka hedhur poshtë raportet, pasi kishte edhe në fillim të gushtit, që e lidhnin egjiptianin me një lëvizje te klubi i Arabisë Saudite.
Përfaqësuesi i tij, Ramy Abbas, shkroi më 7 gusht pas spekulimeve: “Nëse do të mendonim të largoheshim nga LFC këtë vit, nuk do ta kishim rinovuar kontratën verën e kaluar. Mohamed mbetet i përkushtuar ndaj LFC-së.”
Salah nënshkroi një kontratë të re trevjeçare verën e kaluar, e cila e bëri atë lojtarin më të paguar në historinë e klubit me rreth 400 mijë euro në javë.
Liverpool tashmë ka humbur dy lojtarë me përvojë që kaluan në Arabinë Saudite këtë verë. Ish-kapiteni Jordan Henderson u transferua te Al Ettifaq për 15 milionë euro, përpara se edhe Fabinho të përfundonte kalimin te Al Ittihad për 48 milionë euro.Al Ittihad ka nënshkruar me Karim Benzema dhe N’Golo Kante deri më tani këtë verë. /Telegrafi/