U duk sikur pas largimit të Jurgen Klopp mbyllej një epokë te Liverpool por në fakt kjo nisje sezoni po tregon të kundërtën sepse “Reds” me ardhjen e Arne Slot, që ndër të tjera, ska bërë aspak merkato (Mamadashvili është blerë për verën e vitit 2025) janë duke ecur me ritmet e dikurshme, ndoshta edhe më mirë.
Sot në Old Trafford ka ardhur fitorja e tretë radhazi në Premier League, një sukses tepër i thjeshtë, një lojë fëmijësh ndaj Manchester United, që u përpoq deri kur Luis Diaz shënoi golin e parë. Më pas, gjithçka ishte ne dishezë. Një ndeshje që foli sidomos për Casemiro, i cili sot veshi fanelën e Liverpool duke bërë gabime pafund, duke dhuruar topa dhe aksione golash.
Dy herë Luis Diaz dhe më pas i zakonshmi Salah, me dy asist dhe një gol sot, teksa janë 9 gola në 7 ndeshjet e fundit në Old Trafford. Dhe tashme jane 9 gola te shenuar ne 3 ndeshje per Liverpool dhe 0 te pesuar.
Kriza e Man United pafund
Manchester United vazhdon të tregojë se është një skuadër e cila jo vetem që nuk mund të quhet EKIP por që nuk ka një ide loje, nuk ka soliditet, nuk ka uri për fitore dhe sidomos është një grumbull futbollistësh që luajnë gjithësecili për vete. Me në krye, një trajner, i cili në vend që të largohej, u konfirmua nga klubi: Erik Ten Hag!
Dhe ky është viti i tretë, janë shpenzuar gati 550 mln euro deri tani në merkato që kur holandezi mori drejtimin, janë larguar ata që ai nuk deshte, janë afruar ata që ai deshte, mbrojtës, portier, mesfushorë, por edhe të rinj të talentuar, e megjithatë vazhdon të jetë një anije “Titanik” e cila vazhdon zhytjen.
Humbja ndaj Liverpool është thjesht një pjesë e procesit të dështimit sepse në fakt, në këto tre vite, ka ardhur vetëm një trofe: FA Cup. Të cilin trajneri edhe sot e përmend si arritje të madhe, duke harruar se drejton Manchester United, se drejton në Old Trafford, se përfaqëson ndër klubet më të famshme në histori dhe botë dhe me më shumë tifozë anembanë./telesport/