Finalja e Botërorit të Klubeve do të diskutohet mes Flamengos dhe Liveprulit, ashtu siç e kishin parashikuar të gjithë. Por ashtu si brazilianët që vuajtën për të siguruar finalen përballë Al Sad të Katarit, edhe anglezët e patën shumë të vështirë përballë meksikanëve të Monterrei duke u kualifikuar vetëm me një gol në minutat shtesë të takimit.
Klop kishte lënë disa prej titullarëve pushim, emra si Mane, Firmino e Aleksander-Arnold duke menduar se mund të zgjidhte ndeshjen edhe me lojtarë si Shaqiri e Origi përpara.
Një gol i Keita që në minutën e 12 la të mendohej se zgjedhja e trajnerit gjerman ishte e duhura, por vetëm 2 minuta më vonë meksikanët barazuan me anë të Funes, duke bërë që ndeshja të hapej plotësisht.
Dueli ishte shumë i luftuar dhe të dy skuadrat kishin shanse për të shënuar. Por diferencën e bënë pikërisht emrat që Klop la fillimisht në stol, pasi me futjen e tyre në fushë, Liverpuli u shfaq më agresiv.
Ngulmimi para portës së Monterrei funksionoi në fund kur pas një aksioni në krahun e djathtë, Aleksander-Arnold gjeti në zonë Firminon i cili në minutën e 91-të shënoi golin që i dha suksesin 2-1 Liveprulit dhe e kaloi në finalen e madhe të së shtunës. /vipsport/