Real Madrid ka fituar për herë të tretë radhazi, të 13-ën në historinë e klubit, trofeun e Ligës së Kampioneve, duke mundur 3-1 Liverpulin në një finale që do të kujtohet për Garet Bejl dhe Loris Karjus.

I pari hyri nga stoli dhe shënoi dy gola, ndërsa i dyti, i bëri dy dhurata madrilenëve, duke ia bërë suksesin më të thjeshtë.

Ndeshja foli më shumë për Liverpulin në minutat e para, duke detyruar portierin Kejlor Navas të bënte disa ndërhyrje vendimtare, pasi loja zhvillohej thuajse gjithmonë pranë zonës së tij.

Por plani i sulmit të pareshtur të anglezëve ndryshoi pas minutës së 30, kur Mohamed Salah la i përlotur fushën e lojës.

Egjiptiani u dëmtua pas një rrëzimi në toke në një duel me Serxhio Ramos dhe nuk mund të vazhdonte më, duke i lënë vendi Lallana.

Pak minuta më vonë, edhe Reali humbi një titullar për dëmtim, me Karvahal që u detyrua t’i linte vendin në fushë Naços pas një problemi në kofshë. Edhe mbrojtësi spanjoll shkoi i përlotur në dhomat e zhveshjeve pas një dëmtimi që i rrezikon edhe Botërorin.

Pjesa e parë u mbyll pa gola ndërsa e dyta filloi me disa episode të njëpasnjëshme për t’u shënuar. Fillimisht, Isko goditi traversën pas një pavëmendje të prapavijës së Liverpulit.

Më pas, erdhi edhe goli i avantazhit me Benzema i cili përfitoi nga supergafa e Karius për ët dërguar topin në rrjetën e anglezëve.

Fatmirësisht për klubin anglez, reagimi erdhi shumë shpejt, me Mane, i cili devijoi në rrjetë pas një goditje nga këndi.

Zidan përpiqet të ndryshojë diçka dhe rezulton zgjedhja më e goditur e francezit. Jashtë Isko, në lojë Bejl. Pak minuta në fushë për uellsianin dhe menjëherë erdhi një supergol me roveshatë që nuk i la kohë Karius të reagonte, duke kaluar përsëri Realin në avantazh.

Liverpuli po mundohej me të gjitha mënyrat që të kthente përsëri barazime, duke ushtruar trysni shumë lart ndaj madrilenëve.

Por një tjetër gafë e portierit Karius i kushtoi shtrenjtë anglezëve, Bejl lëshoi një predhë nga distanca dhe gardiani e la t’i ikte nga duart, duke parë topin që përfundonte në rrjetë për herë të tretë.

Goli mbylli praktikisht ndeshjen, me Liverpulin që u dorëzua dhe thjesht shtyu minutat deri në vërshëllimën përfundimtare që dekretoi fitoren e skuadrës së Zidan e cila e ka kthyer këtë në turneun personal.

Real Madrid-Liverpul 3-1
51′ Benzema, 64′, 83′ Bejl / 55′ Mane