Karlo Ançeloti ka shpërthyer kundër La Ligës për kalendarin e ngjeshur dhe faktin që duhet të luajë sot kundër Vijarealit. Trajneri italian thotë se po i masakrojnë lojtarët dhe e vetmja gjë për të cilën kanë interes janë paraja dhe të drejtat televizive.

Ai gjithashtu ka treguar krenarinë për këtë ecuri duke shpjeguar se janë në garë për tripletë dhe kjo i lumturon.

PENALLTIA- “Unë nuk e kam kuptuar çfarë problematike kishte dhe nuk jam marrë më me këtë çështje sepse ndeshja për ne ka përfunduar. Nëse ndryshon rregullorja, nuk di çfarë të them. Rregullat janë ato që janë”.

FORMA– “Jemi në fazën rikuperuese ende. Është një aspekt që duhet ta kemi parasysh përballë një rivali shumë të fortë. Duhet të bëjmë një ndeshje inteligjente. Nuk e kuptoj pse duhet të luanim të shtunën (sot). Ndoshta ndonjë ditë duhet që të ndryshojmë kalendarin. I japin shumë rëndësi të drejtave të transmetimit dhe parave. E fundit është ajo që mendojnë për rikuperimin e lojtarëve”.

KALENDARI- “Kam menduar që përveç vështirësive të kalendarit ne jemi pjesë e tre kompeticioneve më të rëndësishme, diçka që nuk ka ndodhur kurrë në 3 vitet e fundit. Në vitin tim të parë na eliminuan nga Kupa në janar, në të dytin ishim jashtë La Ligës dhe vitin e kaluar nga Kupa. Në këtë sezon jemi në garë për 3 trofe”.

SEZONI- “Është një sezon stresues, por vetëm për kalendarin. Që nga janari jemi duke luajtur çdo javë nga 2 ndeshje dhe kjo është ndeshja e 21 ose e 22. Nuk ka kohë për t’u rikuperuar nga lodhja dhe presioni. E vetmja gjë që mund të bëj është të heq dorë nga kjo punë, por nuk mund ta bëj sepse më pëlqen”.

ASENCIO- “E festuam këtë moment për grumbullimin e tij në kombëtare. E ka merituar për punën dhe seriozitetin. Meriton gjithçka. Shpresoj që të jetë grumbullimi i parë i shumë të tjerëve”.

VIJAREALI- “Duhet të bëjmë një sforco. Nuk mund të jemi të freskët sepse nuk kemi kohë. Por duhet të luajmë me kualitet dhe me qasjen e duhur. Duhet të luajmë një ndeshje inteligjente. Nuk ka vetëm një mënyrë për të fituar. Duhet të mbrohemi mirë”.