Ai u konsiderua si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit europian, por në vitet e fundit, gjurmët e tij kanë humbur pak. Renato Sanches është një lojtar me kualitet të padiskutueshëm, por te Bayern Munich rrallë ia ka dalë ta tregojë atë.
I ardhur në Bavari në vitin 2016, kur ishte vetëm 19 vjeç, falë një shpenzimi prej 35 milionë euro, plus bonuse të tjera, mesfushori që atë vit fitoi Kampionatin Europian me Portugalinë e tij, si protagonist, nuk e ka pasur hapësirën që shumë prisnin në Gjermani.
Nga një lojtar me pritshmëri të mëdha, ai mbeti në plan të dytë në “Allianz Arena”. Pas një sezoni huazim te Swansea u mendua se do të fitonte terren ndaj shokëve të tij te bavarezët, por nuk ndodhi.
Për këtë arsye, vetë Renato Sanches ka njoftuar në mënyrë të përsëritur qëllimin për të ndryshuar mjedis në muajt e fundit. Një synim, të cilin portugezi e ka naltuar me zë të lartë.
Në fakt, “Bild” njoftoi një episod të çuditshëm më 29 maj, kur Bayerni luajti një ndeshje miqësore ndaj Lindau. Lojtari luzitan, që luajti një pjesë loje, shpërtheu në dhomat e zhveshjes: “Falënderoj Zotin, 45 minuta të tjera me Bayernin. Asnjëherë më, kurrë më, kurrë!”
Prandaj, Renato Sanches pritet të largohet nga Bayerni. Zërat për një interes të mundshëm nga PSG kanë qarkulluar ditët e fundit. Mesfushori portugez është përdorur 17 herë nga trajneri Kovac në kampionat, sezonin e fundit (5 ndeshje si startues), 6 ndeshje në Ligën e Kampionëve (1 herë nga minuta e parë) dhe 1 ndeshje në Kupën Gjermane./telesport/