Asnjë ekip në pesë kampionatet më të mira të Europës nuk ka mbajtur më shumë portën e paprekur se Juventusi në të gjitha turnetë këtë sezon: 11 si Interi dhe Bajerni i Mynihut.
Ndërkohë, të mërkurën kundër Aston Vilës, bardhezinjtë vendosën një rekord për ekipet italiane në Champions. Në fakt, asnjë klub i Gadishullit Apenin nuk ka pasur kurrë më parë një moshë mesatare më të ulët se Juvja e dy ditëve më parë. Ekzaktësisht 24 vjet e 142 ditë, duke tejkaluar rekordin e Milanit kundër Atletikos së Madrid më 28 shtator 2021 (24 vjet e 161 ditë). Manuel Lokateli, si ndër më të vjetrit e “Zonjës” duhet të bëjë të tjera bilance të cilat i ka shfaqur në intervistën e dhënë për televizionin e klubit.
Si u ndjetë në sekondat e fundit kundër Aston Vilës?
Sinqerisht e kuptova që ishte faull menjëherë sepse portieri ynë u hodh dhe u godit, ndaj isha mjaft i qetë. Nuk isha i qetë sepse ishte një ndëshkim i kotë dhe duhet ta kishim trajtuar më mirë fillimisht.
A mund të ishte bërë më shumë në Angli?
Po, mund të kishim bërë më shumë sepse gjithmonë synojmë të fitojmë. Është e qartë se nuk duam alibi, nuk duam justifikime, ne dalim në fushë, përpiqemi të japim gjithçka për këtë fanellë, kjo është ajo që duhet të bëjmë. Por, nëse analizojmë ndeshjen sigurisht që mund të kemi pengje. Sidoqoftë, mendoj se ishte një pikë e mirë në një fushë të vështirë.
Ndonjë justifikim e keni ama?
Ato i japin mediat, ne dalim në fushë duke luftuar dhe duke punuar çdo ditë. Gjendja është ajo që është e ne jemi këta. Duhet të shikojmë njëri-tjetrin në fytyrë, të dalim në fushë dhe të tregojmë se mund ta veshim këtë fanellë. Pjesa tjetër është thjesht bisedë, sepse ne duhet të zbresim në fushë dhe të bëjmë më të mirën që mundemi.
Si zgjidhet problemi i mungesave?
Dëmtimet janë pjesë e këtij sporti. Ata që janë dëmtuar e kanë bërë duke dhënë gjithçka, kështu që edhe ne që po luajmë do të bëjmë të pamundurën që mungesa e shokëve të mos ndihet. Jemi të paktë në numër dhe ka shumë rëndësi që të bëjmë mirë.
Sa i mungon goli këtij Juventusi?
Shumë sepse nuk kemi shënuar në dy ndeshje, duhet patjetër të përpiqemi ta bëjmë kundër Leçes. Ndaj Aston Vilës patëm disa raste të pastra, të shpresojmë që herën tjetër të shkojë më mirë, por duhet nënvizuar edhe që nuk pësojmë gola.