E vështirë që në Rusi ta përballojnë çmimin e tij. Jo 12 apo 18 milionë euro, por edhe më pak, janë shifër tepër e lartë për klubet e elitës së futbollit të një vendi që ndodhet në luftë.
Kështu ndodhi me tentativën e Lokomotivës së Moskës për të marrë Mirlind Dakun. Klubi nga kryeqyteti bëri ofertë konkrete tek Rubini, dhe mori gjithashtu një përgjigje të saktë. Kërkesa e drejtuesve në Kazan ishte që kartoni I Dakut vlente 8 milionë euro, në pazarin e fundit.
Mediat ruse shkruajnë se duket e vështirë që ndonjë klub në Premier Ligën ruse të mund të paguajë 8 apo 10 milionë euro për një futbollist në këto kohë, qoftë edhe për lojtarin më të dalluar për kontributin për gola në 2024.
Në të njëjtën linjë babai I sulmuesit të kombëtares, Feim Daku, I cili thotë se sipas shanseve më të shumta, djali I tij do të qendrojë tek Rubini. Më herët, ai kishte dhënë informacion se për sulmuesin 27-vjeçar kishte interesim nga klube ruse, por edhe nga klube jashtë vendit.
Mediat kanë diskutuar emrat e Spartakut të Moskës, Krasnodarit, më pak të Zenitit, e tani të Lokomotivës, ndërsa është folur për klube nga Italia, Gjermani dhe sidomos së fundmi nga Franca.