Në studion e Rubrikës Sportive është duke u diskutuar ecuria e Superiores deri më tani dhe i ftuar është dhe futbollisti i Partizanit, Lorenc Trashi. Mbrojtësi 27 vjeçar foli për ndeshjen me Vllazninë te cilen te kuqte e fituan vetem ne minutat shtese.
“Jam shumë i kënaqur që luaj në të tilla atmosfera, në stadiumin e Shkodrës. Duke parë ato tifozë është kënaqësi më vete. Ka qenë një ndeshje shumë e vështirë. Trajnerit i kemi folur shumë për këtë ndeshje.
I kemi thënë që Partizanit nuk i ka ecur shumë në Shkodër dhe donim të thyenim pak atë mallkimin. Gjithmonë kemi pas besim dhe shënuam në fund rëndësi kanë tre pikët.
Ka qenë vetëm fillimi i kampionatit, është ndryshuar pothuajse gjysma e ekipit. Ka më shumë se 10 lojtarë të rinj. Kemi rritje se është e dukshme. Mjafton të kemi besim dhe rezultatet do të vijnë”, tha Trashi.
Moduli 3-5-2 dhe 4-3-3.
“Skema me tre më vjen përshtat duke parë që dal shumë përpara dhe jam shumë afër portës. Për mua nuk është problem luaj në të dyja. Varet nga lojtarët e tjerë më shumë se ka disa që nuk përshtaten. Më vjen mirë se më përshtatet dhe me formacionin e kombëtares. Trajneri ka ndryshuar shumë dhe smund të bësh shumë prova pasi dihet që kampionati mbyllet me 14-16 lojtarë”, u shpreh futbollisti i Partizanit.