Nga Bledar KUKA
Loro Boriçi, ishte një personazh përtej këtij kompleksi inferioriteti. E tillë pati qenë përvoja e tij e jetës. Ai u lind me emrin Lorenco, shkurt Loro, në një familje të fortë katolike shkodrane me jo pak fëmijë. Kjo, në 4 gusht 1922. Kreu shkollën në kolegjin Saverian në Shkodër, një institucion arsimor tepër tradicional që i përkiste kishës katolike, themeluar më 1874, por që kishte arsimim të përgjithshëm normal.

Kur ishte 15 vjeç, luajti për Vllazninë ndaj Dragoit të Pogradecit, një miqësore në qershor 1937. Gazetari Besnik Dizdari në librin e tij “Historia e kampionateve shqiptare të futbollit” shkruan se Vllaznia e pati të vështirë për ta marrë Boriçin, pasi ishte në shkollë dhe nuk e linte e ëma. “Më len nana, s’më len nana”, ishte shprehja që thuhej në Shkodër.

Më pas, shkodrani i ri, 1.87 metra shtatlartë, shkoi në Itali, pas vëllait më të madh, Markut, dhe u regjistrua në fakultetin e drejtësisë në Romë. Luajti për Lacion duke qenë pjesë e plejadës që doli nëpër fushat e Serisë A në vitet 40-të si Riza Lushta i Juventusit, Naim Kryeziu i Romës, Hilë Staka i Bolonjës apo Sllave Llambi me Interin. Pas një sezoni me rezervat, depërtoi në ekipin e parë, duke luajtur 19 ndeshje e shënuar 6 gola.

Pas luftës, u kthye në Shqipëri tek Vllaznia duke dalë dy herë kampion më 1945 e 1946. Si lojtar i kombëtares doli kampion i Ballkanit në 1946. Në 1949 mbërrin në Tiranë për shërbimin ushtarak, ndonëse ishte 27 vjeç dhe luajti për Partizanin. Fitoi edhe dy tituj kampion (1949, 1954), ndërsa provoi edhe Spartakun e Tiranës, madje besohet edhe Flamurtarin e Vlorës. Në 1956 u caktua trajner i Partizanit dhe më 1957, i kombëtares, të cilën me shkëputje e drejtoi deri në prag të viteve 80-të. Në 1960 u shkollua për trajner në Institutin e Fizkulturës dhe Sporteve në Bullgari, në Sofie, diçka që bullgarët nuk e kanë harruar dhe nja dy vjet të shkuara organizuan një përkujtimore në ambasadën e tyre në Tiranë.

Si trajner doli kampion në 1963, 1964, 1971 me Partizanin. Fitoi Kupën e Republikës në 1964, 1966, 1968, 1970. Fitoi Kupën Ballkanike me Partizanin në 1970. Fitoi Kampionatin Ballkanik me Shpresat më 1977. Po ashtu, fitoi medaljen e argjendit me Partizanin në Lojrat e Ushtrive mike në Hanoi më 1963. Ata që e njohin kujtojnë Loron duke ngrënë akullore në rrugë, pa droje, mbajnë mend Loron të rrethuar nga fëmijët kur zbriste nga autobusi kudo qoftë, në çfarëdo qytet të Shqipërisë. Ramiz Alia apo Beqir Balluku e donin pa masë dhe në Shqipërinë ku jetoi u respektua në mënyrë maksimale deri në fund.

Në 1972 deri në 1975 punoi në Kinë për të ndihmuar në forcimin e futbollit kinez. Sokol Morina thotë se “abc”-ja e futbollit në Kinë u mësua nga Loro Boriçi. Një nga lojtarët e tij më të mirë e më të dashur, i paharruari Panajot Pano mban mend mirë sesi Loro e kishte për zakon të vinte dhomë më dhomë një natë para ndeshjeve për të qetësuar të gjithë futbollistët. Na ishte bërë një ritual, shprehej ai, dhe nuk shtriheshim të flinim pa ardhur ai në dhomën e hotelit ku flinim. Kur ishte në Kinë, i mahniti vendasit duke mos pranuar të merrte paratë e caktuara si pagesë për të: I kam të tana, kam për të ngrënë, për të pirë kafe dhe gjithçka tjetër, për të fjetur. Nuk më lënë të fus dorën në xhep. Nuk kam nevojë për pagesë. Kjo ishte pjesa e madhe e shpirtit të tij, si një njeri, madje edhe si katolik, si jomaterialist.

Ai nuk u martua kurrë. Ndoshta edhe këtu mund të ketë një ndikim fetar. Siç thonë, tradita ka qenë e tillë që vëllai nuk martohej po të mos martohej motra më e madhe.

Ata që e kanë njohur shprehen me bindje se nuk mund të thuash se nuk ishte qejfli. E pati një grua me të cilën ishte i lidhur derisa ndërroi jetë. Ajo grua e kishte një fëmijë dhe gojët e liga nuk pushonin së thëni se atë fëmijë e kishte me Loron. Veçse, me njëmijë për qind kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Ndodhte që tifozë të Tiranës ta ngacmonin që nga shkallët e stadiumit, krejt natyrshëm për vetë sfidën që kishin me të kuqtë, duke thirrur në kor emrin e djalit dhe ata të Partizanit e mbajnë mend mirë se ato ishin të vetmet raste kur ai burrë i qetë dhe i urtë nxehej. Duart i dridheshin fort.

Më 1984, sëmundja erdhi papritur dhe përparoi fort. Loron e dërguan për kurim në Itali, diçka e rrallë, por nuk mundi t’ia hidhte dot. Trupi erdhi me arkivol madhështor nga Italia. Në vendin fqinj, thellësisht katolik, ishte përzgjedhur një arkëmorti me kryq të madh, për një djalë të një familjeje katolike shkodrane.

Nuk dihet nëse Shqipëria komuniste lejoi që idhulli i futbollit të varrosej me atë arkivol me kryqin në ballë. Dihet se homazhet e parashikuara për në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” u anuluan dhe u zhvendosën në klubin Partizani. Edhe aty u dha urdhër, “të mos ketë homazhe”! Ashtu po bëhej atë ditë të 24 apo 25 prillit 1984, kur Enver Hoxha ishte ende gjallë, edhe pse në motin e tij të fundit. Veçse, ndërsa gjithçka po bëhej gati për në varreza, ia mbërrijnë autobusë nga Shkodra. Nga Shkodra e tij. Sportistët e Vllaznisë zbritën dhe nisën të rreshtohen pranë trupit të njeriut të lavdishëm. Dikush, një zyrtar me rëndësi, iu tha se nuk lejohej, se nuk mund të bënin homazhe.

Hiquni anash, erdhi përgjigja shkodranisht, Loro Boriçi nuk varroset pa nderimet tona. U rreshtuan dhe nisën të sillen rrotull arkivolit. Një herë, dy, tri. Aq sa ia deshi shpirti. Më pas, trupi i tij shkoi në banesën e fundit. Sot emrin e tij e mban stadiumi i Shkodrës, por që në 1985, Sokol Morina propozoi dhe ia arriti që shkolla e mjeshtërisë sportive në Tiranë të merrte emrin e tij. Nëse sporti shqiptar ka figura që të mund të quhen të denja për elitën europiane, Loro Boriçi padyshim është njëri nga më të merituarit si i tillë.