Egnatia i ka dhënë lamtumirën kompeticioneve ndërkombëtare për këtë sezon, teksa është mposhtur në sfidën e dytë në Shkodër nga Vikingur i Islandës.
Skuadra rrogozhinase vinte në ndeshjen në “Loro Boriçi” me avantazhin e fitores 1-0 në transfertë në sfidën e parë, por nuk ia doli ta ruante atë. Trysnia e miqve para portës së Dabjanit solli një autogol me devijim të dyfishtë në pjesën e parë. Ndërkohë në fillimin e të dytës, një dhuratë para portës u dha mundësinë miqve të dyfishonin shifrat dhe të merrnin kontrollin e kualifikimit.
Egnatia provoi deri në fund që të rihapte sfidën me një gol, por futbollistët e saj shpërdoruan disa raste të mira shënimi. Ndaj në fund, humbja 2-0 dekretoi eliminimin e ekipit rrogozhinas në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
EGNATIA-VIKINGUR 0-2
28′ (ag) Dulis, 48′ Trandarson