Shkodrani Loro Boriçi është përzgjedhur nga gazeta “Sporti Shqiptar” si një nga “10 sportistët më të mirë të 100 viteve 1912-2012”. Anketa është organizuar prej disa ditësh nga redaksia e kësaj gazete dhe ka patur dy lloje vlerësimesh. I pari përmes votave të lexuesve që kanë shkuar përmes letrave dhe e-maileve dhe tjetri, ka qenë ai i gazetarëve të mediave të ndryshme në Shqipëri. Në kushte të tilla, pikërisht sot në ditën e 100 Vjetorit të Shtetit Shqiptar, kjo gazetë ka shpallur edhe fituesit. Njëri prej tyre, madje që ka marrë një numër të madh votash, ka qenë pikërisht Loro Boriçi.
Të tjerët kanë qenë Panajot Pano, Riza Lushta, Refik Resmja, Ymer Pampuri, Elizabeta Karabolli, Agim Fagu, Ela Tase, Sulejman Demollari dhe Pavlina Evro.Shumë pranë fitores në këtë anketë kanë qenë edhe dy shkodranë të tjerë, pikërisht Faruk Kalleshi dhe Agim Tafili që kanë marrë një numër shumë të madh votash. Megjithatë, Shkodra përfaqësohet denjësisht në këtë “10-she” me Loro Boriçin, futbollistin e madh të Vllaznisë të viteve ’30- ’40 por edhe të ekipit kombëtar, ashtu siç ka qenë i madh edhe si trajner i këtij të fundit për disa vite me rradhë.
www.shkodrasport.com