Vllaznia do e mbyllë vitin 2021 me ndeshjen në shtëpi kundër Kukësit. Ekipi i Brdariç do kërkojë të bëjë një mbyllje sa më të mirë para syve të publikut shkodran. Duke parë edhe formën e javëve të fundit të kuqebluve, të gjithë presin një fitore në shtëpi. Kjo duke parë edhe statistikat e këtij sezoni të Vllaznisë në “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë numërojnë 7 ndeshje në Shkodër gjatë këtij edicioni. Ku kanë fituar 5 të tilla, barazuar një dhe humbur po një. Sukseset kanë ardhur kundër Dinamos në shifrat 6-3, Kastriotit me rezultatin 3-1, Laçit dhe Partizanit në shifrat 1-0 dhe kundër Skënderbeut me shifrat përfundimtare 2-0.
Barazimi ka ndodhur në Shkodër përballë Teutës me rezultatin 1-1. Ndërsa humbja e vetme këtë sezon në Shkodër ka ardhur nga Tirana. Bardheblutë kanë fituar përballë Vllaznisë me rezultatin 0-2. Statistikat tregojnë për një Vllazni të fortë dhe rezultative brenda fushës së saj.
I vetmi “peng” mbetet ndeshja me Tiranën që tashmë është harruar dhe lënë pas. Fokusi tashmë është tek Kukësi që nga ana e vet gjithashtu ka zhvilluar dy ndeshje këtë sezon në “Loro Boriçi”. Kundër Tiranës dhe Partizanit, ekipe që i ka mundur me rezultatin 2-1 secilën.
Endri ÇINARI