Shpresa më e madhe e Shqipërisë në boks për të marrë medalje në Lojërat Mesdhetare, nuk ia ka dalë.

Bëhet fjalë për boksierin shkodran Arjon Kajoshin i cili në ndeshjen e parë të zhvilluar ndaj një boksieri nga Algjeria, ka pësuar një çarje të thellë në pjesën e poshtme të ballit.

Kjo ka ndodhur në raundin e dytë të kësaj ndeshje, teksa i pari ishte fituar nga boksieri shqiptar i cili po e kontrollonte dyluftimin.

Por padyshim që rrjedhja e vazhdueshme e gjakut, ka bërë që mjekët të mos e lejojnë të vazhdojë më duelin.

Një vendim që padyshim ka mërzitur së tepërmi Kajoshi dhe kjo duket më së miri në fotot e këtij shkrimi.

Në sytë e tij nuk kanë munguar as lotët dhe kjo tregon më së miri dëshpërimin që ka ekzistuar në ato momente tek ky sportist.

Edhe boksieri tjetër i kombëtares tonë, Ardit Murja është eliminuar dhe të vetmit në garë janë Krenar Zeneli dhe Bekim Vjerdha.
© shkodrasport.com