Kush do të luajë në mesfushë, kush në sulm? Dhe si do të paraqitet Gjermania në Kampionatin Evropian, që fillon të premten e ardhshme? Lothar Matthäus, ish-sulmues dhe kampion bote në “Italia 1990” beson se të besuarit e Julian Nagelsmann mund ta rrëmbejnë titullin në atdheun e tyre.

63-vjeçari tani punon si komentator televiziv dhe pasi ndoqi ndeshjen e fundit miqësore kundër Greqisë (e fituar 2-1) u përpoq të bënte një parashikim për rrugën e Gjermanisë në “Euro 2024”. Për “Kicker:, ai nënvizoi: “Mund t’ia dalim mbanë me sukses. Është një Kampionat Evropian që e luajmë në shtëpi, kemi një kombëtare me përvojë, energji rinore dhe cilësi. Na nevojitet vetëm atmosfera pozitive për t’i kombinuar të gjitha”.

Për menaxhimin e kapitenit Ilkay Gündogan: “Nuk duhet t’i japim atij ‘carte blanche’ vetëm pse ka shiritin në krah. Nëse do të kishit qenë i qëndrueshëm, trajneri Nagelsmann nuk do të kishte kthyer Toni Kroos në mesfushë. Për mendimin tim duhej t’ia vendosnim atij shiritin në krah. Mund të përqendrohet te Gündogan, por duhet të jetë titullar i padiskutueshëm dhe i plotë në çdo ndeshje. Megjithatë, kohët e fundit ai është zëvendësuar gjithmonë pas rreth një ore lojë.

Nga kjo mund të shihet se Nagelsmann nuk i beson atij shumë, – vazhdoi Matthäus, – për të gjithë 90 minutat, edhe pse është padyshim një lojtar i madh. Hansi Flick e bëri atë kapiten, jo Nagelsmann. Ndoshta ai nuk dëshiron të shkaktojë telashe tani. Pastaj mund të ketë një marrëveshje që Gündogan të mbajë kokën ulur, kur nuk luan. Në të kaluarën kapiteni ishte gjithmonë i paprekshëm. Tani është ndryshe”./telesport/