Jurgen Klopp është një ndër trajnerët e momentit në futbollin botëror, për shkak se e ka kthyer Liverpoolin në një skuadër spektakolare dhe fituese, që shpreson ta mbyllë sezonin me triumfin në Champions League, duke pritur ndonjë dhuratë të bujshme edhe nga Manchester City në kampionat këtë të diel, në javën e fundit të Premier League.

Megjithatë, legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthäus, nuk beson se Klopp do ishte trajneri i duhur për Bayernin.

Në një intervistë për “Sportbuzzer” ai tha: “Klopp mund të drejtojë çdo ekip në botë me cilësitë që ka, por nuk besoj se do ishte trajneri i duhur për Bayernin. Ai ka punuar gjithnjë në klube shumë emocionale, si Mainz, Dortmund dhe tani Liverpool. Është person shumë emocional, ndaj përshtatet në mënyrë perfekte në këto klube. Për këtë arsye, do e shihja më mirë te Schalke, sesa Bayern”.

Gjithsesi, Matthäus nuk sheh asnjë arsye për ndryshim në stol te Bayerni, përkundrazi. “Niko Kovac ka bërë një punë të shkëlqyer, para 9 muajsh gjeti një ekip shumë ndryshe nga e shkuara, shumë lojtarë vinin nga dështimi në Kupën e Botës dhe kjo nuk duhet harruar”, tha Matthäus, i cili ka kritikuar ashpër Dortmundin.

“Mundësitë ishin pa fund, realiteti është se Dortmundi bëri shumë pak. Nëse dëgjoj të thuhet që gjithsesi vendi i dytë ishte synimi para startit të sezonit, atëherë kjo do të thotë të shmangësh vëmendjen nga problemet reale. Dortmundi nuk ka liderë. Marco Reus e Mario Götze kanë luajtur shumë mirë këtë sezon, por për të fituar titullin të duhet mentaliteti i duhur, sidomos në momentet kur gjërat nuk ecin mbarë. Edhe një si Kimmich ka treguar më shumë në moshën 22-vjeçare sesa Reus, Götze apo Witsel së bashku”./telesport/