Futbollistët e përfaqësueses shqiptare vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes në Itali, sidomos në Serinë B, ku disa emra shihen si të duhurit për të ndihmuar skuadrat të hedhin hapin cilësor drejt Serisë A.

Mes tyre janë edhe Migjen Basha me Ledian Memushajn, arsye pse Salernitana e Klaudio Lotitos i ka piketuar të dy si përforcimet e verës.

Presidenti i Lacios është njëkohësisht pronar i klubit të Serisë B dhe është ai që vendos veton për afrimet në skuadër.

Edhe pse investimet e tij për këtë klub janë të vogla, ai ka premtuar që në sezonin e ardhshëm do të ndërtojë një skuadër pretendente për t’iu ngjitur në elitë.

Dy ndër emrat e parë, sipas mediave italiane, janë ata të Bashës dhe Memushajt. I pari është lojtar i lirë pasi ka mbyllur kontratën dhe nuk ka rinovuar me Barin.

Sapo të kthehet nga pushimet, me të do të fillojnë bisedimet konkrete për firmën.

Ndërkohë, Memushaj është një shpenzim të cilin Lotito duhet ta mendojë mirë. Kartoni i lojtarit vlerësohet rreth 500 mijë euro nga Benevento, ndërsa edhe rroga e tij nuk është e ulët, pasi vërtitet rreth të njëjtës shifër për dy sezone.

Por te Salernitana mendojnë se me dy shqiptarët, qendra e mesfushës do të jetë e blinduar dhe do të ketë cilësinë e duhur për të synuar ngjitjen e kthimin pas shumë vitesh në Serinë A, ndaj po fillon puna konkrete për afrimin e tyre. /vipsport/