Egnatia do të synojë të rikthehet te rezultatet pozitive edhe pse përballë do të ketë Tiranën në “Elbasan Arena”. Rrogozhinasit, të cilët vijnë pas kualifikimit në Kupë, do të tentojnë maksimumin kundër një rivali si bardheblutë me të cilët kanë regjistruar disfatën më shëmtuar në Superiore këtë sezon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, trajneri Edlir Tetova u shpreh se me Tiranën është gjithmonë e vështirë pavarësisht formës që kanë kryeqytetasit. Tekniku i barshjeshilëve shtoi se do të ketë rrotacion, edhe pse synimi kundër Tiranës do jenë 3 pikët.


Tetova, luani me Tiranën, çfarë synoni nga ky duel?

Takimin me Tiranën e kemi vlerësuar maksimalisht, pasi synojmë gjithmonë të jemi gati kundër çdo rivali të mundshëm. Si ne ashtu edhe bardheblutë nuk vijmë nga një moment i mirë dhe në këto kushte do jetë një duel ku të dy ekipet do të mundohen të lënë pas rezultatet negative. Natyrisht ne do të futemi në fushën e lojës për të bërë lojën tonë me synimin e qartë maksimumin kundër Tiranës. Skuadra është stërvitur mirë dhe ne i kemi idetë e qarta se çfarë duhet të bëjmë për të garantuar një rezultat pozitiv. Ia kam shpjeguar edhe lojtarëve që në këtë pikë të sezonit duhet përkushtim maksimal, pasi ndeshje të lehta nuk ka.


Bardheblutë iu kanë mundur 0-5, do të jetë ky një revansh për hakmarrje?

Rezultati i fazës së dytë i takon së shkuarës dhe llogaritë e një ndeshje mbyllen brenda 90 minutave. Në këtë këndvështrim nuk e shoh këtë sfidë si hakmarrje, por si një ndeshje që kërkoj ta fitoj për të vijuar përpara. Mendoj se i kemi të gjitha shanset për të dalë me kokën lart nga fusha e lojës dhe për këtë do të mundohemi të japim gjithçka nga cilësitë që ne disponojmë. Unë kam besim të hekurt te grupi i lojtarëve që udhëheq, pasi e di që nëse arrijmë të implemetojmë lojën tonë nuk na ndal askush.

I druheni sulmit të Tiranës?

Ne nuk kemi frikë askënd edhe pse jemi të vetëdijshëm për potencialin që kundërshtari ka në repartin e avancuar. Tirana ka lojtarë të shpejtë, të cilët mund të vendosin në vështirësi në çdo moment, por ne mendoj i kemi marrë masat dhe kemi cilësitë për ta përballuar këtë ndeshje delikate. Na duhet vëmendje, pasi një episod mund të vendosë fatin e krejt takimit. Në fakt, për këto detaje punojmë dhe mundohemi t’i analizojmë në çdo seancë stërvitore edhe pse çdo 90-minutësh ka specifikat e veta. Megjithatë, Egnatia ka treguar prej 2 vitesh që ka stabilitet si skuadër aq më tepër në prapavijë ku kemi kualitete dhe eksperiencën e duhur për të menaxhuar një ndeshje me cilindo kundërshtar në Superiore.


E shihni ekipin e Fagut si rival për titull?

Tirana është emër i madh i futbollit shqiptar dhe mbetet gjithmonë një ekip pretendent sa i takon trofeve. Çdo skuadër e ka një moment “jo”, por bardheblutë do të jenë gjithmonë aty për të konkurruar deri në fund. Mendoj që skuadra e Erbim Fagut i ka cilësitë e duhura për të rivalizuar me këdo, ndonëse momentalisht ndodhen në një pozicion aspak komod në tabelën e klasifikimit. Ata kanë treguar historikisht që edhe kur nuk vijnë si favoritë, janë të frikshëm sa herë bëhet fjalë për t’u kurorëzuar me trofe. Ndaj takimin me ta e shoh një ndeshje ku mund të prodhohet gjithçka, pasi Tirana në këto kushte ku ndodhet nuk ka çfarë të humbasë.

Do të aplikoni rrotacion kundër kryeqytetasve?

Fakti që luajtëm në Kupë në fundjavë na kushtëzon të bëj rrotacion, pasi disa lojtarë kanë ndier lodhje. Nuk dëshiroj të sakrifikoj askënd në këtë moment, pasi e di fare mirë se një mbingarkesë fizike shoqërohet shpesh me dëmtime. Në këtë fazë të sezonit dëmtimet mund të na kushtojnë shumë, pasi edhe koha për të rikuperuar është e kufizuar. Tek Egnatia fjala rrotacion nuk është se ka kuptim, pasi tek grupi i lojtarëve që unë drejtoj të gjithë janë të rëndësishëm. Shoh te futbollistët dëshirë, sepse në ato minuta që aktivizohen duan të lënë gjurmë si për të treguar se vlejnë dhe meritojnë vëmendje dhe besim.

Ju shqetëson forma e Drames dhe Lubas?

Janë dy lojtarë të shkëlqyer, të cilët po mundohen me të gjitha format që të inkuadrohen me linjën e skuadrës. Do të kenë kohë që të ndërthuren më mirë me taktikat sesi luajmë, pasi tani do ketë pushim për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Ata kanë shprehur dëshirën për të takuar familjarët e tyre. Shpresoj që ky detaj t’i ndihmojë edhe në aspektin psikologjik për të qenë më të qetë sa i takon vazhdimësisë. Jam i bindur se do të bëjnë mirë, pasi kualiteti i tyre nuk diskutohet, ne kemi durimin të presim, pasi e dimë sesa mund të na ndihmojnë tani e tutje.

Cili është motivi që shiriti i kapitenit i ka kaluar Sherrit?

Kapiteni ynë i parë është Renato Malota. Kur nuk luan qendërmbrojtësi, shiriti i kalon Alen Sherrit. Kjo histori është e përcaktuar dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për hierarkitë në skuadër. Të garantoj që tek Egnatia nuk ka dualizma. Te ne klima miqësore është në kufijtë e maksimales dhe për këtë jam krenar. Harmonia që kemi është një faktor i rëndësishëm, që ia kemi dalë të jemi konkurrues prej 2 vitesh në futbollin shqiptar.