Shqiptarët kthejnë Lokomotiv Zagreb mes skuadrave më të rëndësishme të futbollit kroat. Ashtu siç bënin pak vite më parë Grezda, Prenga dhe Çekiçi, këtë radhë janë Mersinaj, Çokaj, Uzuni, Kastrati dhe Tuci ata që ngjitin një nga një shkallët në renditje për skuadrën e qytetit të Zagrebit.

Të 5 shqiptarët ishin titullarë sot për ekipin e Lokomotiv duke zbritur në fushë nga minuta e parë përballë Inter Zapresiç, ku rival kishin një tjetër futbollist që ka veshur fanellën kuqezi, Valon Ahmedin.

Protagonist që në fillim u bë Uzuni, i cili krijoi një mundësi të mirë shënimi e më pas fitoi penallti të cilën e ktheu në gol Toliç.

Ky i fundit ishte ai që shënoi edhe dy golat e tjerë në ndeshjen që përfundoi 3-1 për skuadrën e Lokomotiv Zagreb, duke e ngjitur në vendin e tretë në renditje.

Një pozicion që do t’i siguronte pjesëmarrjen në Europë në edicionin e ardhshëm e sigurisht që do të ishte një arritje e madhe për këtë klub i cili bazon gjithçka te lojtarët e rinj të cilët i rrit dhe i shet pastaj në skuadra të tjera, atë që po synon të bëjë edhe me futbollistët shqiptarë që po aktivizon rregullisht. /vipsport/