Luan Shatku është një nga emrat e shquar të basketbollit shkodran dhe atij shqiptar. Një sportist që ka dhënë shumë për klubin Vllaznia duke e ndihmuar atë të fitonte shumë trofe gjatë karrierës së tij.
Pa I mbushur ende 17 vjeç, ai me kurajo e vullnet I drejtohet fushës së basketbollit me pikësynimin për t’u bërë një basketbollist I shquar. Për këtë, në mjedisin e ngrohtë me të cilin ai u rrethua, punoi me pasion e këmbëngulje pa njohur orar stërvitje duke sakrifikuar mjaft nga koha e tij e lirë.
Po në të njëjtën kohë Luani ishte edhe një student po me atë vullnet e pasion në vitin e parë të hapjes së Insitutit Pedogogjik 2 vjeçar në Shkodër.
Të dhënat e tij fizike e ndihmuan shpejt të afirmohet si basketbollist (ndonëse luan pa dallim e cilësi edhe në volejboll), duke spikatur dinamizmi e sedra e madhe sportive, duke I mbrojtur me dinjitet ngjyrat e shoqërisë lokale “Puna” e “Studenti”, të Vllaznisë së viteve ’50-’60 dhe të Partizanit kampion më 1964.
Luani falë punës së tij sportive rradhitet shpejt në pesëshen e parë të Vllaznisë ku sëbashku me Esat Haxhin, Skënder Osmanin, Muhamet Sokolin, Vehbi Ademin, Ali …, e më vonë dhe me Zyhdi Çobën, Renato Radojën, Valter Kalajën, Petrit Osmanin, Filip Guraziun etj, u bë një mbështetje e sigurtë e ekipit të Vllaznisë dhe atij kombëtar.
Luan Shatku do të renditej në mes qendrave më të njohura të vendit si Dh. Goga, F. Meka, M. Përmeti, B. Bumçi, F. Qirici etj, duke u bërë dhe problem në mbulimin e tij nga çdo kundërshtar.
Me djersën dhe mundin e Luanit, janë të lidhura shumë fitore të ekipit të Vllaznisë, ku spikasin ato të viteve 1957-58 ku Vllaznia fitoi dy Kupa të Republikës dhe me atë sukses të bukur të vitit 1959 të Spartakiadës së parë Kombëtare, ku harku karakteristik I tij e gjuajtjet me kërcim pranë zonës, luftë e përsosur në të dy tabelat janë aq përcaktuese në këto fitore.
Pikërisht në këto vite, ku Luani do të shpallej edhe Mjeshtër Sporti, ai e pasuron edhe më tej mjeshtërinë sportive me lojën moderne si qendër, duke mbetur madje një nga pionerët e basketbollit shqiptar në këtë rol.
Ai ka patur kontributin e tij në titullin kampion edhe me ekipin e Partizanit në vitin 1964 kur ka luajtur me të. Dhe pastaj, detyrën taktike të Vllaznisë me lojën me dy qendra, ai e interpreton me fizionominë e individualitetin e tij prej një mjeshtri të vërtetë, duke lënë gjurmët e tij të pashlyeshme dhe duke I dhënë progres lojës së basketbollit të Shkodrës kur ajo fiton tre Kupa rradhazi në vitet 1966, 1967 dhe 1968 dhe shpallet kampione e vendit në vitin 1968.
Luan Shatku po ashtu ka dhënë një kotribut edhe në arenën ndërkombëtare, në ballkaniadën e vitit 961 në Sofje dhe në vitin 1965 në Tiranë, në takimet ndërkombëtare me ekipin gjerman, hungarez, kubanez etj.
Luani ka qenë edhe një mësues shembullor në tre dekada me rradha në lëndën e matematikës që sëbashku me sportin, ishin dy pasionet e mëdha të jetës së tij. Ai është nderuar edhe me medaljen “Naim Frashëri”.
Për të ka patur shumë rëndësi transmetimi I pasionit për basketbollin tek I biri- Altini që u bë po ashtu një basketbollist shumë I mirë vite më pas.
Luan Shatku është ndarë nga jeta në korrik të vitit 1987 pas një sëmundje të rëndë por duke lënë pas një emër të shkëlqyer si sportist. Dhe jo vetëm për këtë. Ai të impononte respekt për marëdhëniet e pastra që krijonte me shokët e vjetër dhe të rinj të sportit.
Ishte një njeri modest dhe në karrierën e tij si mësues e sportist, e kanë shoqëruar edhe humori I tij I përhershëm, ndihma e pakursyer për nxënësit e të tjera veçori që do ta bëjnë atë të paharruar.
Esat Haxhi
Skënder Osmani