Luan Shpuza, një nga figurat e njohura të futbollit në Shkodër ka folur për situatën e Vllaznisë. Ish-drejtori i akademisë kuqeblu u ndal tek loja që po zhvillojnë shkodranët, duke komentuar se kanë dalë nga tradita. Ndërsa në fjalët e tij, ai thekson se ndeshja kundër Partizanit duhet të shërbejë për të fituar tifozët.
Shpuza tha: “Nuk më pëlqeu aspak loja kundër Teutës. Më duket se Vllaznia ka dalë nga stili dhe tradita e saj e futbollit, ku historikisht ka pasur si karakteristikë lojën nga krahët. Kjo po mungon tashmë dhe skuadra pëpiqet ta gjejë golin nga rastësia, nuk shoh një rrjedhë logjike të aksioneve.
Momentalisht nuk mund të them se skuadra ka krizë. Sepse është vetëm 2 pikë larg nga vendi i parë, por loja që po zhvillon nuk jep garanci për të ardhmen. Uroj që të pëmirësohen që me ndeshjen me Partizanin.
Ky takimi i kësaj jave duhet të shërbejë edhe për të fituar tifozët, që realisht janë të zhgënjyer nga kjo performancë deri më tani”.
Endri ÇINARI