Me fitoren e djeshme ndaj Tiranës, Vllaznia U19 është ngjitur në vendin e parë në renditje në grupin A. Një pozicionim i cili i bën të ndihen mirë të gjithë pjestarët e këtij ekipi.

Megjithatë për trajnerin Luan Zmijani, skuadra tashmë do të fokusohet tek ndeshja e javës së ardhshme me Astanën e vlefshme për “Uefa Youth League”.

“Ballafaqimi me Tiranën ishte i rëndësishëm jo vetëm për kampionat por na shërbeu edhe si test prove përpara sfidës së kthimit ndaj kazakistanasve të Astanës. Skuadra po funksionon dhe këtë e tregoi më së miri edhe ndaj Tiranës, një nga rivalët tanë kryesorë.

Patëm raste për të shënuar edhe gola të tjerë, ashtu si dhe kundërshtari na vuri në vështirësi, por falë formës së mirë që po kalon portieri Qarri, e ruajtëm portën të paprekur.

E rëndësishme është që Vllaznia U19 vazhdon të thotë ashtu si duhet fjalën e saj në kampionatin shqiptar dhe këtë do të mundohemi ta tregojmë edhe në takimin e vlefshëm për Ligën e Kampioneve të Europës për të rinjtë”- ka deklaruar për mediat trajneri Zmijani.