Trajneri i Kombëtares së Rumanisë, Mircea Lucescu ka folur në konferencën para ndeshjes ndaj Kombëtares së Kosovës, të cilën e ka vlerësuar maksimalisht duke e cilësuar si një ekip i madh.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes në Bukuresht, përzgjedhësi Lucescu ka ndërhyrë gjatë deklaratave të lojtarit Valentin Mihaila dhe ka dashur të saktësojë se kombëtarja e Kosovës, kundërshtari i ardhshëm i “Trikolorëve”, nuk është një kundërshtar për t’i lënë pas dore.
“Shpresoj të mos bëni shaka me Kosovën. Kosova është një ekip i madh që mund të fitojë kundër çdo skuadre”, ka thënë fillimisht Lucescu në konferencë.
“Ata janë lojtarë që luajnë në ekipe të mëdha në Evropën Perëndimore. Fakti që nuk arritën të bënin një grup të fortë, nuk do të thotë se nuk janë një ekip i rëndësishëm. Nuk ka më një gjë të tillë, vetëm ne e imagjinojmë…”.
“Lituania kishte 6-7 lojtarë që luanin në kampionate shumë të forta. Qiproja ka 4-5 lojtarë në kampionate shumë të forta. Nuk është si më parë”, përfundoi trajneri i Rumanisë.
Ndryshe, ndeshja mes Kosovës dhe Rumanisë zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:45 dhe është vlefshme për Grupin 2 në Ligën C të Ligës së Kombeve. /Telegrafi/