Opinion nga BEHAR ULAJ

Kam ndjekur më vëmendje jo vetëm si tifoz i Vllaznisë, por edhe nga risia që mund të bëhet në futbollin shqiptar tërheqja e numrit 9 nga fanellat kuqeblu. Një ide e bukur, kushdo që e ka hedhur, sepse një si Vioresin Sinani e meriton. Dhe këtë nuk e them vetëm unë, por në të gjitha bisedat me shokë dhe dashamirës të futbollit në Shkodër të pohonin të njëjtën gjë, madje edhe shumë veteranë të futbollit ishin dakord që fanella e Sinanit të mos ishte sezonin e ardhshëm. Natyrisht, dikush përmendte që duhej bërë më parë edhe me figura të tjera të futbollit në Shkodër, por po them se, pavarësisht emrave të mëdha që ka nxjerrë Vllaznia, golashënues si Sinani, deri tani nuk ka asnjë në Shqipëri. Pra, vlerësimi i Sinanit po bëhet vetëm nga rekordi i golave të shënuar, sepse është unikal, nuk ka asnjë tjetër në Shqipëri. Të them të drejtën, jam mërzitur kur kam lexuar shkrimin e Roland Luçit te gazeta “Sporti shqiptar”. Ai ngre në piedestal figurat e të gjithë futbollit shkodran, a thua se i ulte kush ata, ndërsa për Sinanin, as që fliste fare. Zoti Luçi, siç e thashë, ky nderim bëhet se nuk ka asnjë si Sinani që ka shënuar kaq shumë gola. Nuk mbarojnë fanellat i dashur Luçi, sepse rekorde të tilla mund të thyhen njëherë në 50 vjet, kështu që ka fanella sa të duash. Unë e kuptoj “hallin” tënd, ti ke mbajtur fanellën me numër 9, por mos u mërzit, secili ka pjesën e vetë të historisë te Vllaznia. Edhe për ty kemi brohoritur, madje edhe kur u bëre trajner të respektuam. Prandaj mos u bëj xheloz. Nëse do të bënim një renditje të ish-futbollistëve të Vllaznisë ndër vite (këtë nuk e them vetëm unë), ju z. Luçi nuk do të renditeshin në 10 vendet e para, madje kam frikën se as në 20-she nuk do të ishit. Kësisoj, nëse do të kishte folur për këtë problem Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Hysen Zmijani a ndonjë tjetër, as që do ta kisha marrë mundimin të replikoja. Jam një tifoz “i thekur” i Vllaznisë, edhe mua do të më mungojë numri 9, nëse ai hiqet, por nga ana tjetër, do të krenohem që ekipi im i zemrës ka nxjerrë golashënuesin më të mirë të të gjithë kohërave në kampionatet shqiptare. Ka edhe një mënyrë origjinale për këtë propozim të bërë nga klubi. Le të votojë e gjithë Shkodra për këtë propozim. Në rast se shumica është kundër, atëherë le mos hiqet fanella me numër 9. Por kam përshtypjen se shumica dërrmuese do të ishte për heqjen fanellës së Sinanit, sepse ai vërtet e meriton.