Në një intervistë për gazetën “Libero”, Luciano Moggi, ish-drejtuesi i njohur i Juventusit, nuk i ka kursyer kritikat për situatën aktuale te Milani. Me një analizë të thelluar, ai ka theksuar mungesat strukturore dhe teknike që po e pengojnë progresin e kuqezinjve:

“Është një grup me solistë të mëdhenj, por që nuk lidhen mes tyre. Ky Milan mund të fitojë me këdo, por edhe të humbasë. Për më tepër, kuqezinjtë nuk dinë të hyjnë në lojë si një skuadër e madhe.

Sidomos në pjesët e para, shpesh gjenden në disavantazh, ndëshkohen shpejt nga kundërshtari, duke dhënë përshtypjen se nuk kanë hyrë në fushë me mendjen e duhur. Pastaj, kur goditen dhe fishkëllehen nga tifozët, reagojnë dhe arrijnë të paktën të mos humbasin, siç ndodhi në 2-2 kundër Fiorentinës”.

Në vijim, Moggi ka komentuar edhe situatën në pankinë, duke vënë në dyshim përkushtimin e trajnerit portugez, i cili është paralajmëruar për largim në fund të sezonit: “Conceição e ka mendjen diku tjetër qysh tani”.

“Big Lucciano” nuk i kurseu as drejtuesit aktualë të klubit, duke nënvizuar se mungon një figurë e fortë që të udhëheqë projektin kuqezi: “Milani nuk mbështetet nga një shoqëri e aftë. I mungon një drejtues me karizëm, që të jetë i besueshëm për ambientin falë të kaluarës së tij. Një klub i madh, dhe Milani padyshim që është i tillë, ka nevojë për drejtim të fortë.

Ishte Maldini, por u largua në mënyrë të pashpjegueshme. U përmend Paratici, por tani jo më… I vetmi drejtues që do të ishte ideal për Milanin, për shkak të së kaluarës së tij si lojtar dhe drejtor sportiv, është Igli Tare. Mjafton të shohësh si e ringjalli Lazion nga hiri dhe e riktheu mes të mëdhenjve”.

Me këtë deklaratë të fortë, Moggi i ka dhënë jehonë edhe një herë debatit për nevojën e një figure të fortë drejtuese në “Casa Milan”, duke përmendur Taren si profili më i përshtatshëm për të udhëhequr klubin kuqezi drejt lavdisë së dikurshme.