Ka ardhur në Shkodër gjashtë vjet më parë, pikërisht në janarin e vitit 2013. Dhe që atëherë nuk është larguar për asnjë moment dhe vështirë të largohet. Luçije Gjini është nga Durrësi por duket se ka marrë “pashaportim” në kryeqendrën e Veriut.
Lojtarja e Vllaznisë dhe e kombëtares shqiptare është një nga më të mirat aktualisht në futbollin shqiptar të femrave. Një futbolliste polivalente e cila mund të luajë me sukses në çdo repart, duke filluar nga mbrojtja, mesfusha dhe sulmi.
Pak kohë më parë festoi ndeshjen e 100-të me Vllazninë. Ajo nisi të luante futboll me Shkëndinë e Durrësit ku spikati me paraqitjet e saj dhe pikërisht prej kësaj, presidenti Lazer Matija e mori menjëherë tek Ada në atë periudhë.
Kontribuoi që kjo skuadër të shpallej kampione në sezonin 2012-2013. Më pas siç dihet, ekipi ndryshoi emër dhe kaloi nën siglën e Vllaznisë. Që nga ai çast, Gjini ka luajtur në të gjitha ndeshjet, pa munguar në asnjërën prej tyre. Ka fituar gjashtë tituj kampion (5 me Vllazninë dhe 1 me Adën) dhe është shumë të shtatit.
Ekipi shkodran dominon edhe në kampionatin aktual dhe duket në rrugën e duhur për të fituar titullin e rradhës. Një kontribut për këtë gjë po jep edhe Luçije Gjini e cila madje ka shënuar edhe 9 gola. Ajo përveçse me Vllazninë është një pikë e fortë edhe e kombëtares kuqezi.
Madje, me golin e saj i dha të vetmen fitore Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian, kur shënoi në minutat e fundit të ndeshjes me Bjellorusinë. 24 vjeçarja premton të bëjë gjëra të mira edhe në të ardhmen sepse mënyra si stërvitet dhe përkushtimi që ajo ka për futbollin, e bëjnë atë një sportiste të veçantë.
© shkodrasport.com