Opinion
Nga Redan BUSHATI*
Po të shfletosh fjalorin e gjuhës shqipe fjala luftë me kuptimin e vërtetë, atë të parin, lexohet se me luftë kuptohet – përleshje e armatosur ndërmjet forcash ushtarake kundërshtare në një vend të caktuar, betejë, luftim etj. Nga ana tjetër në kuptimin e një ndeshje futbolli lufta përcaktohet si përpjekje e madhe, këmbëngulëse, sistematike për t’ia arritur me patjetër një qëllimi, fitoren e ndeshjes.
Në luftë futbollistike janë dy skuadra që zhvillojnë luftë sportive, por me fair play; dy skuadra që luajnë, vrapojnë, përplasen, dyluftojnë, por nuk shkaktojnë incidente jashtë rregullave të lojës brenda fushës, pra dy skuadra që zbatojnë limitet e rregullores së lojës së magjishme të futbollit. Kjo sa për të sqaruar ndarjen mes «luftës» futbollistike dhe luftës së përgjakshme, atë që ndot futbollin.
Në vendin tonë politika është futur në çdo qelizë të jetës së vendit. Një gjë të tillë e shikon çdokush, e nuhat i verbëri, e prek ai që nuk dëgjon, thjesht e dimë dhe e ndjejmë, por duket se nuk mund të bëjmë dot gjë më shumë se kaq, veç të dëgjojmë dhe shikojmë. Thjesht hedhim tutje vështrimin, ndjekim ekipin e zemrës, ndoshta do ta lëmë edhe atë një ditë, pasi jeta na mëson se «edhe pse zemra rreh, syri shikon e mendja kupton». Kështu, duke qenë se politika po dëmton futbollin me futjen e duarve brenda saj, pra ajo po i heq «virgjërinë», po shkel rregullat e kësaj loje dëfryese dhe emocionuese që çmend dhe merr me vete pas miliona e miliarda njerëz në botë, atëherë do të jetë më se e kuptueshme zbrastësia e stadiumeve tona.
Atje tutje në një stadium një deputet zone godet një gjyqtar; diku tjetër presidenti i klubit qëllon me këpucë; në një fushë tjetër arbitrat ndihen nën presionin e vazhdueshëm të vendasve; majtas ndodhet dikush që kërkon nga ekipi fitore me çdo kusht, kështu lufta në fushë kalon limitet e lejuara; diku tjetër ndërhyn gjyqtari me pazaret e tij dhe tifozeria irritohet, pastaj fillojnë sharjet dhe hedhjet e objekteve në fushën e ndeshjes; djathtas një grusht i befasishëm si rrufe dhe i padënueshëm… Nga kjo panoramë më shumë se e zymtë të gjithë më pas bëhemi misionarët e paqes. Ne jemi misionarët që flasim mirë e duam paqe, e kur ndodhemi atje, atje pikërisht në fushën e lojës harrojmë ç’ka thamë dhe çfarë jemi, por kthehemi në një qenie aq të frikshme dhe neveritshme, sa nënë e motër është minimumi ajo çfarë nxjerrim nga goja e fëlliqur, pasi kushedi ku mund të mbërrijë një qenie e tillë, e cila ka përjetuar një metamorfozë më të çuditshme se ajo ç’ka përshkruan Kafka në librin e tij. Kështu, këto njerëz të «edukuar», të cilët kanë një lloj personaliteti e fuqie urdhëruese, në studiot televizive janë ëngjëjt më të dashur për shoqërinë, ndërsa në stadiumet ku luan ekipi me të cilin kanë edhe interesat e tyre janë të pamëshirshëm në çdo gjë, veçse duan të marshojnë me çdo kusht drejt interesave të tyre, fitore apo humbje ndeshje, ku i dihet kur bëhet fjalë për interesa personale dashakeqe ndaj futbollit. Pikërisht, kjo shtresë apo kategori njerëzish janë luftënxitësit e betejave të përgjakshme në stadiumet tona. Këto njerëz me imunitet të votuar apo falur e urdhëruar kanë me vete pas edhe shumë njerëz, të cilët vihen në interes të «zotërisë» së tij. Pikërisht, këto zotëri e kanë katandisur futbollin e luajtur bukur në futbollin e tavolinave dhe luftës jo korrekte sportive.
Së pari, ka mjaft shqiptarë të mirë kudo në botë që çdo ditë lobojnë për bashkim shqiptarësh, vëllezërish e motrash shoq më shoq, se fundja jemi NJË, gjithë gjak shqiptari. Po këto që luajnë në fushën e lojës janë shqiptarë që duan gjakun e tyre apo jo?! E komplikuar kjo çështje, pasi të shkretët nuk dinë çfarë janë dhe pse janë, përderisa hakërrehen aq urrejshëm për të goditur kundërshtarin apo gjyqtarët e ndeshjes.
Së dyti, secili njeri ka personalitetin e vet, ka ca parima dhe të shenjtin moral, për të cilat pretendohet se karakterizojnë çdo qenie normale njerëzore. Pse për hir të interesave të dikujt ne duhet të shkelim edhe karakterin dhe personalitetin tonë, qoftë ky edhe drejtues i lartë klubi apo…?
Së treti, në stadium ka edhe femra e fëmijë që ndjekin lojën e bekuar të futbollit. Sigurisht, kjo duhet të jetë një motiv më i madh, qoftë edhe në aspektin edukativo- kulturor që individë të caktuar duhet të përmbahen nga gjestet dhe veprat e shëmtuara anti-sportive. Paçka se pretendojmë të kemi edhe më shumë prezencë të femrave në stadium! Largqoftë o Zot të ndiqnin ndonjë ndeshje të kategorisë së parë në kamionatit tonë!!!
Së katërti, për aq kohë sa ne vazhdojmë të zhvillojmë luftë të pandershme sportive, ne nuk do të rrisim nivelin e kampionatit shqiptar. Aktorët kryesorë, që kanë edhe barrën më të madhe janë sportistët dhe trajnerët. E këto të fundit, edhe në mos qofshin luftënxitësit kryesorë të betejave anti-sportive, përsëri ngaqë bien në batakun dhe diregjimin e atyre që ndodhen në tribunën vip do të përfundojnë nën etiketimin «futbollistë dhe trajner amatorë, futboll amatoresk».
Së pesti, për aq kohë sa të kemi aktorë të futbollit me personalitet të dyzuar, që rrjedh edhe nga vetë problemet kulturore vetjake, pasi në më të shumtën e rasteve po rrisim futbollistë me pak ose aspak edukim arsimor e kulturor, futbolli ynë do të jetë pré e çdo gjahtari, duke filluar nga politikanë, presidentë apo dhe tifozeri.
Së fundi, duhen rregulla për t’u zbatuar dhe jo vetëm për t’u shkruar e harruar. Nevojitet një federatë dhe komision disipline më korrekt me veten, personalitetin dhe profesionin e tyre. Dinjiteti i tyre është i shkelur, për aq kohë sa stadiumet tona zhvillojnë luftë të përgjakshme. Fajin e kemi të gjithë, kush më shumë e kush më pak, porse ai mund të minimizohet dhe dobësohet çdo ndeshje e më shumë, nëse dënojmë dhe gjobisim ato luftënxitës që duan luftë dhe gjak. E lufta për burra është, por burra s’ka! Se këtu nuk kemi të bëjmë me luftë në kuptimin e parë të fjalës, por duhet të zhvillojmë luftë brenda kornizave të lojës sportive të futbollit tonë të dashur. Ka akoma kohë që të përmirësojmë diçka, sa nuk na kanë ikur edhe ato pak tifozë që gjenden në shkallët e stadiumeve tona. Bëhuni burra e baballarë të denjtë, bëhuni trima brenda rregullave të lejuara të lojës, tregoni që nuk jeni të fëlliqur, por keni moral dhe dinjitet, jepni maksimumin për atë që paguheni, kështu edhe ne (veçmas ne sportdashësit) do t’ju kemi më xhan, e nga ana tjetër nderi i motrës dhe librit të familjes suaj do të vijë drejt shuarjes së pashmangshme në stadiumet tona. Kështu fitojmë të gjithë, mbi të gjitha futbolli i bukur!
*Autori është kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH)