Skuadra e Luftëtarit ka arritur të barazojë në ndeshjen e sotme të luajtur në Gjirokastër ndaj Bylisit me rezultatin 1-1 dhe me këtë barazim, ajo i ka dhënë mesa duket përfundimisht fund shpresave për të qëndruar në Superligë. Në kushte të tilla bëhet e ditur se trajneri Edi Martini që e ka drejtuar atë, ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.

Në fakt ai e mori drejtimin e kësaj skuadre në pozita jo të mira dhe megjithë përpjekjet e tij nuk arriti t’ia ndalë ta kthejë Luftëtarin tek rezultatet pozitive. Fillimisht kanë shënuar vendësit, për ta zhbllokuar rezultatin me anë të brazilianit Fonseka, në minutën e 30-të, por pjesa e parë ka rezervuar edhe një gol tjetër, në favor të miqve të Shensojit.Gjuajtja e Gërxhos në minutën e 44-t nga goditja e dënimit nga rreth 22 metra ka përfunduar në rrjetën e gjirokastritëve, duke i dërguar skuadrat në ekuilibër rezultativ në dhomat e zhveshjes, në pushimin 15-mintësh. Nuk ka rrugë tjetër për bluzinjtë në 45 minutat e mbetura, vecse të sulmojnë me forca të shumta dhe të bëjnë gjithcka për të rigjetur avantazhin. Mirëpo, në këtë mënyrë kanë rrezikuar shumë për t’u ndëshkuar nga kundërsulmi mik. Edhe pse është detyruar të spostohet në gjysmëfushën e vet me forca të shumta, Bylisi nuk ka hezituar në raste të vecanta për të kundërsulmuar. Megjithtë, barazimi 1-1, i fiksuar që në pjesën e parë, ka mbetur i pandryshuar duke lënë më të kënaqur mallakastriotët, të cilët ndihen më të sigurtë në qëndrimin e tyre në Superiore. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Luftëtarin, që shpërdoron mundësinë e marrjes së 3 pikëve, duke shfrytëzuar faktorin fushë. Pavarësisht merkatos së dimrit, skuadra e Edi Martinit nuk ka arritur të bëjë kthesën e shumëpritur, aq sa të mos e shohë veten poshtë “vijës së kuqe”. Kesisoj duket se jane percaktuar tashme 4 skuadrat qe do bien nga kategoria dhe ato jane Luftetari, Shkumbini, Tomori dhe Apolonia.

www.shkodrasport.com