Skuadrat e Kategorisë Superiore në Shqipëri do të zbresin në fushë sot, për herë të fundit për vitin 2017. Të 5 takimet e javës së 16 janë përcaktuar të startojnë në orën 13:00, për t’i hapur udhë më pas festive të fundvitit dhe merkatos së janarit. Kështu Partizani do të presë në ‘Selman Stërmasi’ Vllazninë, në një takim ku do të kërkohet me çdo kusht fitorja. Të kuqtë vijnë pas humbjes befasuese me rezultatin 5-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendas, ndërsa duket se kanë ‘thyer’ edhe marrëdhëniet me tifozërinë e tyre.

Drejtuesit e klubit po punojnë shumë për të përmirësuar ekipin në merkaton e janarit, por deri atëherë, duhen marrë 3 pikët me Vllazninë, për të qëndruar sa më pranë zonës së Europës, pro edhe për të tentuar të ‘zbutin’ raportet me tifozët. Nga ana tjetër, Vllaznia e Gjokës ka nevojë për pikë, pasi vijon të jetë në vendin e parafundit dhe rreziku i rënies është evident. Shkodranët zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë në ‘Loro Boriçi’ ndaj Kamzës, ku fituan 3-2, por nxorën në pah edhe një herë defektet në repartin e mbrojtjes. Ndaj të kuqve, Gjoka do të kërkojë të mos dalë pa pikë, duke konsideruar edhe barazimin si një sukses, në pritje më pas të merkatos hyrëse të janarit, për të synuar largimin nga zona e ftohtë.

Skënderbeu kryesues do të presë Teutën në Korçë, me synimin për ta mbyllur 2017-ën me fitore. Skuadra e Dajës po dominon këtë fillimkampionati dhe ka treguar se ka diçka më shumë se çdo ekip tjetër i Superiores.Ndaj durrsakëve, Daja pritet të ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ky të jetë takimi i fundit me Skënderbeun, për disa prej lojtarëve, ndaj do të kërkohet mbyllja me sukses e vitit. Nga ana tjetër, Teuta vjen pas 3 humbjeve radhazi, duke treguar në shumë raste se nuk është e aftë të menaxhojë avantazhin fillestar.

Magani e ka pranuar se është gabuar me merkaton dhe se do të mundohet të marrë ç’të mundet deri në këtë sfidë, me shpresën për t’u korrigjuar më pas me merkaton e janarit.

Kukësi do të rikthehet sërish në shtëpi, në ‘Zeqir Ymeri’, ku nuk fiton që nga 16 tetori i këtij viti, kur mposhtte Teutën me rezultatin 4-2. Verilindorët do të kërkojnë vetëm 3 pikët përballë Luftëtarit, për të bërë që të harrohet humbja 1-3 ndaj Lushnjës së vendit të fundit, vetëm 2 javë më herët. Milinkoviç do të ketë përballë ish skuadrën e tij, por u shpreh optimist se do të arrijë të marrë fitoren në këtë takim, ndërsa pranoi se pret 2-3 përforcime në janar, për ta rikthyer Kukësin pretendent. Nga ana tjetër gjirokastritët befasuan ndaj Partizanit, duke i shënuar 5 gola në fitoren 5-0, por vijojnë të qëndrojnë në pjesën e poshtme të tabelës. Skuadra e Likës ka shumë talente në gjirin e saj, të cilët mund të befasojnë kuksianët, ndërsa Luftëtari shpreson në një tjetër magji të 3-shes Bregu-Rroca-Abazaj, para se ndonjëri prej tyre t’i japë lamtumirën bluzinjve, në merkaton e janarit.

Një sfidë mjaft interesante do të luhet edhe në periferi të kryeqytetit, ku Kamza do të presë Flamurtarin. Skuadra e Ndreut mban me meritë cilësimin si surpriza e sezonit, por ka humbur 3 takime radhazi, mes kampionatit dhe Kupës. Kamza do të kërkojë rikthimin te fitorja, për të parakaluar vlonjatët dhe për të gëzuar e qetë në festat e fundvitit, ndërsa trajneri Ndreu e ka pranuar se mbetet në pritje të ndonjë dhurate në muajin janar. Nga ana tjetër, vlonjatët e Duros po zhvillojnë një sezon mjaft të mirë dhe ndajnë vendin e dytë me Kukësin, por vijnë pas humbjes befasuese në shtëpi ndaj Laçit. Te Flamurtari kanë akuza të shumta për arbitrimin dhe pamjet filmike duket se u japin të drejtë vlonjatëve, të cilët me ndonjë gabim më pak të gjyqtarëve, do të kishin disa pikë më shumë. Sot skuadra e Duros do të kërkojë ta mbyllë me fitore 2017-ën, për të rinisur vitin tjetër me disa emra të rinj në përbërje.

Laçi i Mezanit do të kërkojë të vendosë rekord me 4 fitore radhazi dhe gjithçka duket e mundur, pasi do të përballet me Lushnjën e vendit të fundit. Laçjanët morën 3 pikë në Vlorë, në një takim të luajtur në 2 ditë dhe vijnë me moral mjaft të lartë në këtë takim.

Me Mezanin në stol, Laçi ka gjetur ekuilibrat e duhur, por edhe lojën e bukur, ndërsa ndaj Lushnjës do të kërkojnë 3 pikët që mund t’i ngjisë akoma më lart në renditje. Nga ana tjetër, skuadra e Hysen Dedjas vuan nga dëmtimet e shumta dhe një organikë e paplotë, gjë që shkodrani e thekson vazhdimisht në daljet për mediet. Gjithsesi, ashtu siç befasuan Kukësin 2 javë më parë, lushnjarët do të kërkojnë të bëjnë të njëjtën gjë edhe ndaj Laçit, për të qëndruar në vallen e mbijetesës, me shpresën e ndonjë afrimi cilësor në janar.

Skënderbeu- Teuta 13:00 Supersport 2
Kamza-Flamurtari 13:00 Supersport 3
Kukësi-Luftëtari 13:00 Supersport 4
Partizani-Vllaznia 13:00 Supersport 5
Laçi-Lushnja 13:00 Supersport 6