Kategoria Superiore nuk pushon aspak. Futbolli shqiptar rikthehet këtë të mërkurë me sfidat e javës së 33-të.
Luhet për titullin, Europën dhe mbijetesën. 2 ndeshje do të luhen në orën 16:00 dhe tre të tjera në orën 19:00.
Me Skënderbeun që mund të festojë titullin vetëm disa orë pasi të mbyllë ndeshjen e tij pasi në rast fitoreje ndaj Lushnjës dhe një ndalese të Kukësit përballë Teutës, korçarët do të ishin zyrtarisht kampionë.
Të 5-ta takimet e kësaj jave siç ka ndodhur gjatë këtij sezoni do të keni mundësi t’i ndiqni live në Supersport.
Shansi matematik për të mbyllur çështjen e titullit, ose më e pakta vendosja efektivisht e një dore te trofeu.
Skënderbeu luan në Lushnjë me synimin të mbyllë sa më shpejt praktikën në kampionat, për t’u përqendruar më pas te finalja e Kupës.
Një fitore e korçarëve, e kombinuar me barazimin ose humbjen e Kukësit në fushën e Teutës do të mbyllte çdo diskutim. Në këtë rast diferenca e pikëve do të ishte e parikuperueshme në tre javët e fundit.
Në anën tjetër, nëse Skënderbeu fiton, ashtu si edhe Kukësi, skuadra e Dajës mund të festonte në javën e 34-rt, edhe vetëm me një barazim ndaj Teutës.
Për Luftëtarin dhe Partizanin sfida mes tyre mund të jetë mundësia ideale për të shtruar rrugën drejt Europës.
Për gjirokastritët sidomos një fitore pothuajse do të zyrtarizonte pjesëmarrjen e tyre në kompeticionet europiane verën e ardhshme,
duke risjellë kështu një rikthim të bujshëm të bluzinjve në Europë si një arritje e merituar për gjithçka kjo skuadër ka bërë në dy sezonet e fundit në Superiore, jo vetëm me rezultate, por me evidentimin e elementëve cilësorë.
Ndërkohë që Partizani me një sukses jo vetëm që nuk do të mbetej jashtë garës për vendin e 3-të, por të paktën mund të hidhte një hap të rëndësishëm për vendin e katërt, nëse Skënderbeu do të konfirmohet dhe në KAS, që nuk do të luajë në kompeticionet europian.
Flamurtari-Laçi është një duel i drejtpërdrejtë për pozicionin numër 4.
Një fitore e mundshme e vlonjatëve do të sillte rrotacionin mes kuqezinjve dhe kurbinasve në klasifikim, me skuadrën e Mezanit që ka 2 pikë më shumë se sa Flamurtari.
Teuta ka një tjetër finale këtë mesjave, ku do të përballet me Kukësin në stadiumin “Niko Dovana”.
Durrsakët vijnë pas një suksesi mjaft të rëndësishëm në transfertë ndaj Partizanit dhe morali i skuadrës është ai i duhuri në prag të takimit kundër ekipit të Pacult.
Vllaznia-Kamza si një finale e vërtetë, vetëm se i vetmi trofe që do të fitohet me shumë gjasa do të jetë ai i qëndrimit në Superiore.
Ndeshja e kësaj të mërkure në “Loro Boriçi” është e ngjashme për shkodranët me atë të javës së fundit të sezonit të kaluar, vetëm se këtë herë Vllaznia ka nevojë për një fitore.
Kamza, e cila në dy fazat e para luftonte për Europën, papritur e gjeti veten në garën e mbijetesës dhe tashmë është e detyruar të mos humbasë në “Loro Boriçi”, ndërsa një fitore pothuajse do t’i siguronte mbijetesën.
Për të dyja skuadrat kjo është një ndeshje që duhet fituar dhe lajmi i mirë për Gjokën është rikthimi i Sukajt, ndërsa shqetëson disi forma e Orelesit.
Për nga ecuria në javët e fundit të dyja skuadrat janë me statistika të ngjashme, ndërkohë që Kamza dy javë më parë ia doli të mos humbiste me Teutën, duke përmbysur madje dhe një disavantazh të dyfishtë të durrsakëve.