Dinamo triumfoi në transfertën e vështirë të Laçit. Në ndeshjen në kuadër të javës së 6-të të Superiores, dinamovitët fituan me rezultatin minimal 0-1, duke marrrë kështu një fitore mjaft të rëndësishme.Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Dinamos, Luigi di Biagio.

“Çunat dhanë gjithçka në fushë, por ishte një ndeshje e vështirë për shumë motive. Ekipi dha shumë dhe kjo gjë na bën krenarë”, tha Luigi di Biagio.

“Sot jam futur në fushë me një tjetër 11-she pasi duhet të ishim më kompakt. Në pjesën e parë ia dolëm pasi luajtëm shumë më mirë. Në pjesën e dytë pak më pak për shkak të kartonit të kuq. Çdo 5 minuta ndodhte diçka. U detyrova që të ndryshoja rolet e çunave. Djemt u përgjigjën shumë mirë edhe me ndryshimet që bëra. Dua t’i përgëzoj çunat për këtë ndeshje që bënë sot. Shpresoj të jetë fillimi i një kthese të madhe për ne”, shtoi trajneri i dinamovitëve.

“Goudiaby ka bërë një ndeshje të madhe pasi ka lëvizur në të gjithë fushën. Gjithsesi i gjithë ekipi ka dhënë 100%. Igli Tare është miku im dhe më ka sjellë gjithmonë fat. Ka 20 vite që është miku im. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por penalltia që morëm kundra ishte inekzistente, por shyqyr ishte offside. Nuk kam folur kurrë për arbitrat gjatë këtyre ndeshjeve dhe nuk jam justifikuar për asgjë. Me këto penallti ndryshojnë dhe ndeshjet, por shyqyr ishte offside.

Edhe ai karton i kuq që morëm nuk ishte. Edhe për penalltitë ndaj Tiranës nuk jam shumë i bindur, por edhe me Skënderbeun, prekje topi me dorë nga lojtari i korçarëve dhe u shënua gol. Sot është hera e parë që flas për arbitrat pasi është e disata herë që kemi dyshimet tona. Nëse Dinamo u jep bezdi mjafton që ta dimë. Ka ndeshje që kemi fituar që nuk e meritonim, por edhe kemi humbur kur nuk e kemi merituar. Sot jam i inatosur sepse nuk mund të jepet një penallti ashtu.

I gëzohemi kësaj ndeshje edhe për 3 pikët dhe djemt shkojnë përpara për ndeshjen tjetër. Punojmë dhe japim shpirtin në fushë dhe stërvitje dhe duam respekt. Ne shikojmë dhe monitorojmë të gjitha stërvitjet. Unë jam përzgjedhësi për të mirë dhe të keq. Komplimenta edhe për çunat në pjesën e dytë. Trajnerin nuk e ndihmon vetëm 11-shja por i gjithë ekipi. Nuk mund të gëzohemi me kaq duhet të vazhdojmë më tej”, është shprehur trajneri italian i Dinamo City-t, Luigi di Biagio.