Më në fund e ka pranuar edhe publikisht. Kryetari I Bashkisë Shkodër Lorenc Luka, një vit e gjysëm pasi vendosi ta kthejë klubin Vllaznia në shoqëri aksionere, e ka pranuar se institucioni që ai drejton, dështoi në menaxhimin e këtij klubi. E ka thënë këtë gjë në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak kur para gjithë këshilltarëve është shprehur: “Pas kësaj periudhe prej një viti e gjysëm që drejtuam Vllaznia, u bindëm se nuk mund ta menaxhojmë atë ashtu siç duhet. Nganjëherë nuk mjaftojnë as paratë për të qenë I suksesshëm. Kjo nuk ndodhi vetëm me ne.

Po vërtetohet ajo se njësitë e qeverisjes vendore s’kanë sukses në drejtimin dhe menaxhimin e klubeve të futbollit. Ka Bashki në Shqipëri që kanë investuar deri në 1 miliard e 300 milionë lekë në një vit dhe nuk kanë marrë trofe dhe nuk ka sesi të pretendojmë ne që hedhim 400-450 milionë të kemi sukses. Prandaj, e mira është që tashmë kur kemi një kërkesë të biznesit për ta marrë në përdorim klubin, ta miratojmë në parim atë sot dhe të lëmë disa ditë kohë që secili prej këshilltarëve të sjellë idetë e tij, mënyrën si e mendon, të shqyrtojmë edhe njëherë ligjet dhe të vendosim se çfarë do bëjmë në një mbledhje tjetër më datë 9 janar”. Deklarata është e qartë për atë që ka dëshirë të kuptojë se tek Vllaznia gjërat nuk kanë shkuar mirë. Më në fund Lorenc Luka e ka pranuar se në gushtin e vitit të kaluar, u gabua me shndërrimin e Vllaznisë në shoqëri aksionere. Ai e ka kuptuar se Shkodrën mund ta ndërtojë mirë ashtu siç e ka ndërtuar këto 5 vite që ai e drejton, por jo Vllazninë. Futbolli është tjetër gjë.

www.shkodrasport.com