Ky moment i shkrepur sot nga fotografi Gjon Gjeka, flet vetë. Kryetari i Bashkisë Shkodër Lorenc Luka, i pranishëm në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” për të ndjekur ndeshjen Vllaznia- Apolonia, është përfshirë shpeshherë nga emocionet, ankthi dhe paniku i një rezultati jo të mirë të skuadrës së tij. Dhe të mendosh se u arrit një fitore e mundimshme ndaj njërës prej skuadrave më të dobëta të kampionatit, pikërisht në minutat e fundit, sigurisht që do ta ketë bërë atë të zhgënjehet. Në fund të gushtit, kur mori përsipër drejtimin e Vllaznisë bashkë me institucionin që ai drejton, do të ketë menduar shumë gjëra. Natyrisht më të lehta për t’i bërë sesa dolën në vazhdim. Do ketë menduar për një Vllazni pretendente por po sheh përditë e më tepër një skuadër “të rrënuar”. Përpos kësaj, mori sëbashku me stafin e tij jo pak akuza nga ish-trajneri Vata, ka marrë dhe po merr shumë fjalë nga sportdashësit shkodranë që prisnin shumë më tepër prej tij. Në kushte të tilla, kryebashkiaku Luka, në momentin e shkrepjes së kësaj fotografie (dallohet edhe nga mimika e tij) do të ketë qenë duke thënë me vehte: Eh, ç’ më gjeti me këtë Vllazni!