Kishte kohë që pritej por në fakt vetëm dje ka ndodhur. Kryebashkiaku i Shkodrës, njëkohësisht edhe presidenti aktual i Vllaznisë, është takuar me biznesmenin e njohur Valter Fushaj, që njëkohësisht ka qenë për 5 vite me rradhë në këtë post tek klubi shkodran. Të dy ata janë parë të pinë një kafe në hotel “Colosseo” që është pronë e këtij të fundit. Sportdashës të ndryshëm që i kanë parë ata sëbashku, mendojnë se ka qenë një takim për të ardhmen e Vllaznisë. Kjo ngaqë, pas dorëheqjes së ish-presidentit Agron çela, emri i Fushajt po përmendet shpesh si kandidati më i mundshëm për të marrë këtë post.
Edhe vetë ai, në intervistën e tij ekluzive për gazetën tonë ditën e djeshme deklaroi se ishte i gatshëm të ulej në tavolinë me krerët e Bashkisë për të parë se çfarë kërkohet prej tij dhe për të përcaktuar mënyrën e bashkëpunimit për të mirën e skuadrës. Për rrjedhojë, takimi i tij i djeshëm me kryebashkiakun Luka vjen pikërisht pas këtij prononcimi të tij. Nuk ka asnjë koment nga palët në lidhje me atë se çfarë është folur por me shumë siguri, do jetë diskutuar për Vllazninë. Në ditët e ardhshme, gjërat do sqarohen. Për të parë nëse Fushaj do rikthehet përsëri pranë këtij klubi apo jo.