Një ditë përpara nisjes së ndeshjeve zyrtare për vitin 2012, kryetari I Bashkisë së Shkodrës, njëkohësisht edhe presidenti I klubit Vllaznia, Lorenc Luka, ka patur një takim me trajnerin Rudi Vata në zyrën e tij. Tema të bisedës kanë qenë sigurisht ato mbi mbarëvajtjen e skuadrës. Janë diskutuar për atë çfarë ka ndodhur tek skuadra gjatë kësaj periudhe, me largimet dhe afrimet e lojtarëve. Po ashtu është folur edhe për merkaton teksa kryebashkiaku Luka i ka komunikuar trajnerit faktin që nuk do ketë më blerje. Nga sa duket, klubi shkodran duke e parë veten jashtë objektivave këtë sezon, do të kërkojë të mos shpenzojë më para të kota.

Kjo sigurisht që nuk i ka pëlqyer trajnerit që priste të paktën edhe një apo dy blerje të tjera dhe sidomos më e ngutshme për të ka qenë marrja e një qendërmbrojtësi për vetë problemet që ka shfaqur ky repart megjithatë tashmë ai duhet të bëjë me këtë kontigjent që ka aktualisht në dispozicion. Bëhet e ditur që megjithatë është i planifikuar edhe një takim pasdite ose nesër i Vatës me nënkryetarin Troshani për të parë nëse do ketë ndonjë tentativë të fundit vetëm për Da Silvën por me shumë mundësi, kjo çështje do mbyllet këtu.

www.shkodrasport.com