Romelu Lukaku nuk ka ardhur vetëm për para te Interi, apo për të shpëtuar nga makthi që po kalonte në pankinë te Mançester Junajtid. Sulmuesi insiston se ka dashur gjithmonë që të luajë me zikaltërit, të cilët i ka ndjekur për shumë vite pasi aty kishte luajtur një prej idhujve të tij.
“Për mua është e rëndësishme që të fitoj respektin jo vetëm të tifozëve, por edhe të shokëve të skuadrës. U kam kërkuar atyre që të më flasin në italisht dhe pas dy javësh flisja mirë gjuhën tuaj. Unë kam pasur gjithmonë dëshirë që të luaja te Interi.
Isha një tifoz i madh i Adrianos kur vishte këtë fanellë e isha i tillë edhe për Ronaldon. Mendoj se i ngjaj Adrianos, edhe ai ishte i madh, i shpejtë dhe gjuante me të majtën. Ndiqja ndeshjet e tij me Interin dhe ëndërroja të isha si ai.
Më kujtohet që ndaj Udinezes bëri një gol të pabesueshëm. I kisha premtuar vetes që nëse një ditë do të kisha pasur mundësinë për të luajtur në Itali, do ta kisha bërë vetëm për Interin”, tregoi sulmuesi në një intervistë për “Corriere Dello Sport”.
Sipas tij, eksperienca në Itali është shumë e rëndësishme pasi ndihmon çdo lloj sulmuesi. “Sa më shumë luaj, aq më shumë gjej zona në fushë ku mund të jem më efikas. Këtu janë mbrojtësit më të mirë dhe çdo mbrojtje është e përgatitur për çdo lloj situate loje.
Në çdo ndeshje mësoj diçka të re në aspektin taktik, e njëjta gjë edhe nga puna që bën Konte. Nëse një sulmues shënon shumë gola në Itali, mund ta bëjë në çdo turne tjetër në Europë”, theksoi futbollisti belg. /vipsport/