“E urreja lojën me shpinë pas porte deri sa njoha Antonio Konten. Te Çelsi ishte i qartë: Nëse nuk përmirësohesh në këtë aspekt, me mua nuk luan”. Nuk kisha alternativa. Duhet ta falënderoj, sepse ishte pika ime e dobët dhe u transformua në një kualitet”. Kështu e nis intervistën për “Corriere Dello Sport” Romelu Lukaku.
Romelu, në sezonet e fundit ke bërë gjithmonë lajme të bujshme në merkato. Rikthim te Çelsi, pastaj Interi. Interesim nga Arabia, Juventusi dhe Roma. Pastaj te Napoli…
Në përjashtimin nga Çelsi, nuk isha i vetmi jashtë projektit. Ishin edhe Obamejang dhe Zieh. Na detyruan që të ndërroheshim në dhomat e zhveshjes së të rinjve. Prisnim prej javësh një shpjegim, por nuk ndodhi. Në verën e kaluar erdhi Napoli si opsion dhe nuk kisha dyshime.
Megjithatë, tratativa ishte e gjatë dhe e lodhshme…
Ky është biznes. Problemi është që klubi të thotë nuk të dua më dhe për më tepër vendos se sa do të kërkojë prej kartonit tënd. Por nëse ti do të largohesh për arsye serioze, nuk e bën dot kurrë. Të çojnë në pikën e fundit, të lodhin. Klubet kanë raporte edhe me median dhe nxjerrin lajmet që duan ata për të vënë në vështirësi lojtarin dhe për ta vendosur në anën e gabuar të historisë. Më besoni, kam parë gjëra që nuk do të doja kurrë t’i shihja. Një ditë do të flas me të rinjtë për t’ju thënë se kush punon për ata dhe kush jo.
Ka ndodhur diçka mes teje dhe Murinjos te Roma?
Absolutisht, jo. Zhoze… Zhoze është një fitues. E kam pasur trajner te Mançesteri dhe pastaj te Roma. Diçka ka ndodhur mes tij dhe dikujt tjetër dhe unë nuk kam dashur që të futem në mes. Për Murinjon nuk mund të flas kurrë keq. Te Roma nuk kishte një skuadër me cilësi dhe shkoi deri në fund. I uroj gjithmonë më të mirën.
Në ditët e fundit kam parë disa nga fotot e tua dhe dukesh më në formë sesa në vitin e titullit kampion me Interin…
Jam më mirë tani sesa atëherë. Tek Interi isha 101 kilogramë, ndërsa këtu te Napoli 99. Por pesha ime ideale është 102 kilogramë.
Kush është mbrojtësi që të ka vënë më shumë në vështirësi?
Kam pasur duele shumë të bukura me disa prej lojtarëve. Mund të them që Hien ka qenë një prej tyre. Bremer po ashtu. Bremer është një kafshë.
Me Interin ke pasur një raport dashurie dhe urrejtjeje…
Unë nuk e kam urryer kurrë Interin. Nëse dikush ka folur, sidomos në atë periudhë, nuk kam qenë unë.
Ke folur më me Lautaron?
Jo. Argjentinasi është krenar nga natyra… Është një lojtar i shkëlqyer dhe një djalë pozitiv. Meriton gjithçka të bukur që po kalon. Ka punuar shumë për këtë ditë. Për kampionatin, një njeri si ai është i çmuar. Sa më shumë lojtarë të fortë të ketë, aq më prestigjioz është kampionati italian.
Titullin kampion do ta luash me të…
Dhe me Atalantën e Juven gjithashtu, që është vetëm 6 pikë larg.