Lukas Provod është një nga lojtarët më në formë të Çekisë aktualisht. Herën e fundit kur çekët mposhtën Shqipërinë 2 me 0, luajti plot 88 minuta duke dhënë kontributin e tij.
28-vjeçari ka folur para ndeshjes së kthimit, që luhet më 16 nëntor ora 20:45 në stadiumin “Arena Kombëtare”. Provod përmend atmosferën në të njëjtin stadium, që i kujtohet nga humbja e një viti më parë me rezultatin 3 me 0.
“Definitivisht nuk duhet të marrim karton të kuq. Më kujtohet kur shkuam atje dhe nuk e shijuam ndeshjen, ishte më shumë e fokusuar në vrapim. Është një ambient specifik, do të ketë një atmosferë të stuhishme. Por ne jemi gati, skuadra është gati.
Ne e dimë si duhet të luajmë. Do të kemi në mendje ndeshjen e parë në Letna, që e menaxhuam në mënyrë perfekte, dhe do mundohemi të bëjmë të njëjtën gjë. Nëse kemi të njëjtën performancë si në Letna, nuk kemi për çfarë të kemi frikë”, u shpreh Provod.