E pamë këtë femër, me një trup elegante dhe me një ecje simpatike, e cila ka treguar karrierën e saj, edhe sepse është një atlete e cila ka hyrë në historinë e Vllaznisë dhe të Shqipërisë. Ajo ka marrë tituj dhe medalje, ndërsa ka dhënë për “Gazeta e Sportit” këtë intervistë: – Së pari ju urojmë mirëseardhjen në Shqipëri. Si ka nisur karriera juaj sportive?
– Unë kam lindur në Mali-Holaj të Shkodrës më 30 janar 1949. Kam mbaruar klasën e katërt dhe 7-vjeçaren në Shkodër. Në orën e edukimit fizik, në garën e kërcimit së larti, kam arritur 1.37 metra. Një rezultat, i cili u pëlqye nga mësuesja e edukimit fizik Kristina Caka. Dhe duke e pëlqyer këtë rezultat më rekomandoi që të vazhdoja shkollën e mesme pedagogjike. Dhe këtu mësuesi i edukimit fizik, Ibrahim Dizdari, më rekomandoi që të vazhdoja atletikën, si dhe stërvitjen në stadiumin e Shkodrës. Këtë e bëra me pëlqimin e prindërve, ndërsa stërvitjen e kam nisur me trajnerin e njohur Feti Dizdari e më pas dhe Syri Hotin. Hoti ishte trajneri i kërcimit së larti dhe kërcimit së gjati. Në vitin 1965 kam thyer rekordin e kërcimit së larti, që e mbante Shaqe Nika. Më pas në maj 1964 rezultati im ishte 1.45 metra. Dhe me këtë rezultat kam marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik. 3 korrik-4 gusht 1965 kam qenë në stërvitje me kinezët, me rekordmenen U. Fu-Sham. Me stërvitjen në Kinë sigurova pjesëmarrjen në Ballkaniadë, por duke qenë se bëheshin në Athinë nuk morëm pjesë. Në atë periudhë, deri në 1969, jam nderuar me tituj kampion, ndërsa deri më 1971 kam bërë një tërheqje për arsye familjare. Nga 1972-1973 jam aktivizuar me Vllazninë dhe kam marrë pjesë në garat e kërcimit së larti, ndërsa rezultati im më i mirë është 1.51 metra. Në kërcim së gjati kam pasur rezultatin tim 5.43 metra. Me rezultatin që kam arritur në pesëgarësh jam bërë Mjeshtre Sporti, ndërsa kam qenë fitues jo vetëm në këtë garë, por dhe në stafetën 4×100 metra dhe 80 metra. Kujtoj që në fillimin e karrierës kam garuar në tregarësh për të reja. Dhe në këtë disiplinë rezultati im ka qenë rekord në tregarësh. Ekipi i vajzave të Vllaznisë ka zënë vendin e parë për 17 vjet, ndërsa duhet të kujtoj me shumë respekt trajnerët e mi Feti Dizdarin dhe Syri Hotin.
– Po më tej si ka vazhduar?
– Unë kam qenë mësuese e edukimit fizik në shkollat e fshatrave të Shkodrës, që nga Hoti i Ri, Gruda, Gruemira dhe Oblika. Kurse Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë e kam mbaruar më 1970-1975.
– Cilat kanë qenë atletet e njohura të Vllaznisë të asaj kohe?
– Kujtoj me respekt Myzejen Duli, Shaqe Nika, Angjelina Gurakuqi, Mimoza Meta, Xhemalie Kavaja, Lula Ndoja dhe Adile Dani.
– Çfarë i uroni Klubit Shumësportësh “Vllaznia”?
– I uroj gjithmonë suksese dhe dua ta shoh gjithnjë fituese. Ta vazhdojnë këtë traditë të bukur në sportin e atletikës.