Vllaznia pati një humbje të papritur në ndeshjen e parë të turit të 1/16 të kupës së Shqipërisë përballë Labërisë. Shkodranët u mundën në shifrat 2-1, por ajo që ra në sy ishte performanca e Mehdi Çobes. 21-vjeçari ishte autori i golit, por edhe i një loje shumë të mirë.

Sulmuesi ka treguar një formë në ngjitje që nga kupat e Europës, madje ku shënoi një gol me shumë peshë kundër Siroki Brijeg që në fund i dha edhe kualifikimin Vllaznisë.

Gjithashtu performanca e mirë vijoi edhe në përgatitjet e verës, ju Çoba ishte protagonist me gola. E po ashtu në kampionat, ku sërish gjeti rrjetën kundër Teutes, pavarësisht se u anullua për pozicion jashtë loje.

Por këto janë shenja që ky lojtar ka vlera të mëdha dhe me sa duket do jetë një “telash” për trajnerin Brdariç.

Sulmi i kuqebluve mund të jetë reparti që ka alternativa të shumta ku: Aralica, Kaina, Latifi, Da Silva kanë gjetur rrugën e rrjetës deri më tani e ndërsa rikthehen nga dëmtimi edhe emra si: Hoxhaj dhe Djurdjevic.

Një luks ky për kroato-gjermanin e pankinës shkodrane. E tashmë edhe me formën e mirë që po shfaq Çoba, do jetë një “dhembje koke” për Brdaric, që patjetër është i gëzuar që ka kaq shumë alternativa në skuadër të cilëve mund t’iu besojë në momente të ndryshme të sezonit.

Endri ÇINARI